Politikanët, profesorët, mjekët, historianët, mërgimtarët, artistët, sportistët, klerikët, zanatçinjtë, studentët, dhe gjithë shtresat tjera shoqërore duhet të fokusojnë angazhimet e tyre deri më 2 nëntor, në një çështje të vetme dhe tepër sublime: Që Kërçova të vazhdojë të mbetet Uskanë! Nëse ndodhë e kundërta, na mbetet që Uskanën ta mbajmë gjallë vetëm nëpër këngë, kurse Kërçovën ta mësojmë vetëm si histori me do protagonistë që penguan defaktorzimin dhe enklavizimin territorial të shqiptarëve. Më 2 nëntor kjo histori mundet sërish të ribëhet, sepse Kërçova është test moral e kombëtar i gjithë shqiptarëve të Maqedonisë!
Për shkak të shqiptarëve të Kërçovës, të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore ruanin pragun e shtëpisë nga bandat çetniko-partizane, ishte imputuar një etiketë mbi gjithë shqiptarët si bashkëpunëtorë të fashizmit. Ata që përhapnin nebuloza me etiketa të tilla, ishin të vetëdishëm për efektet publike e pikologjike që do të prodhoheshin në kancelaritë diplomatike dhe në redaksitë e painformuara të Europës. Mjaftonte të lançohej një traktat komunist me petk spekulativ dhe gjithë Europa tmerrohej dhe keqinfromohej se në malet e Kërçovës po luftohej gjoja për kauzat e errëta hitleriane.
Ndonëse realiteti ishte krejt ndryshe dhe malësorët e Kërçovës nuk po bënin kurrfarë veprimi që binte ndesh me kodekset dhe ligjet e luftës, propaganda jugosllave me dekada kishte ushqyer opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar për një grusht “kaçakësh” që po donin gjoja ta rrënonin rendin kushtetues të një shteti që po ngrihej mbi gërmadhat e (pa)barazive të mëdha etnike. Kjo pak histori në hyrje të këtij shkrimi do t’i ndihmonte secilit të kuptojë sado pak kontekstin historik, politik e ndëretnik të zgjedhjeve të fundit lokale në Maqedoni, me theks të posaçëm në Kërçovë.
Ata që duan me çdo kusht t’ua “rrëmbejnë Kërçovën shqiptarëve”, nuk e kanë hallin vetëm te Kërçova. Halli është më i madh dhe çdo kush që ka nuhatje të vogël nga gjeografia etnike e Maqedonisë, e ka të qartë se elitave politike maqedonase (të sotmëve dhe të djeshmëve) nuk iu konvenon Kërçova të drejtohet politikisht nga shqiptarët, sepse ky rajon paraqet një enklavë të madhe territoriale, ku hyn edhe Çashka , e cila prish shumë plane në kokat e e atyre që nesër do të donin ta shihnin Maqedoninë një hartë me kufij që do të përkufizonin enklavizimin dhe defaktorzimin e shqiptarëve.
Prandaj institohet me këmbëngulje që Kërçova, jo vetëm në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, por disa dekada të ardhshme, të drejtohet nga këta hartografë etnocentik, të cilët me shqiptarët duan të bashkëpunojnë vetëm atëherë kur votat e tyre (si në Kumanovë, si në Butel, si në Qytetin e Shkupit) janë të mjaftueshme për të zgjedhur kandidadët e tyre në krye të komunave përkatëse. Nëse hyjmë më thellë ta analizojmë skandalin publik që ndërlidhej me ish-kreun e Kërçovës, pa dashur ta denigrojmë apo ta mbrojmë, do të kuptojmë se strategëve të këtij skandalin fare pak iu ka interesuar fati politik i ish kreut të komunës.
Atyre iu ka interesuar dhe iu intereson e ardhmja e Kërçovës, në mënyrë që të gjejnë edhe në radhët e shqiptarëve individ që do të hezitonin të votonin për kandidatin aktual shqiptar. Atyre iu interesojnë të gjejnë shqiptarë që do të legjitimonin zgjedhjen e një kryetari maqedonas të Kërçovës, në mënyrë që nesër të eliminojnë çfarëdo lloj alibie se krejt këto beteja hartografikle maqedonase për Kërçovën kanë patur atribute të ndonjë dominance etnike-gjeografike.
Drejtuesit e partive politike shqiptare, pa marra parasysh se për cilën bëhet fjalë, duhet ta tejkalojnë momentin e inateve e brrylosjeve dhe të angazhohen për një kryetar të Kërçovës që i përgjigjet strukturës etnike, i cili do të punonte për të mirën e gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësitë e tyre etnike e fetare.
Nëse në Kumanovë kjo strukturë po merret parasysh, ku asnjëherë një shqiptar nuk mund të bëhet kryetar komune, atëherë si qenka e mundur që në Kërçovë, kryetar komune të zgjidhet një maqedonas, edhe pse struktura etnike e popullates është një ndaj dy, në favor të shqiptarëve.
Nëse në Kumanovë, në Qytetin e Shkupit, në Butel dhe gjetiu, kryetari i komunës zgjedhet tash e disa vite edhe me votat e shqiptarëve (që në këmbim nuk kanë kurfarë benefiti), dhe kjo u konfirmua edhe me marrëveshjet e fundit, atëherë çfarë formule e çuditshme politike qenka kjo që në Kërçovë të mos mund të zgjedhet një shqiptar edhe me votat e maqedonasve. Ata që aktualisht drejtojnë fatet politike të shqiptarëve, pse nuk i këkojnë këto favore në Kërçovë nga partneri maqedonas?!
Ose: Këta që i orientojnë votate shqiptarëve në kutinë e votimit të një drejtuesi maqedonas në Kumanovë, Shkup, Butel e gjetiu, me çfarë morali njerëzor e kombëtar heqin dorë nga e drejta legjitime që Kërçova të drejtohet nga një shqiptar?!
Asnjë fitore e raundit të parë dhe të dytë të zgjedhjeve lokale nuk do të ketë vlerë, nëse pas 2 nëntorit Kërçova, me 31 610 shqiptarë kundrejt 16 920 maqedonasve, nuk drejtohet nga një shqiptar!
Nëse ndodhë e kundërta, partitë politike shqiptare duhet të heqin dorë nga boshësia e monopolit mbi interesat kombëtare shqiptare.
Nëse ndodhë e kundërta, partitë politike shqiptare vullnetarisht këto interesa po ua delegojnë partive politke maqedonase!
Prandaj, politikanët, profesorët, mjekët, historianët, mërgimtarët, artistët, sportistët, klerikët, zanatçinjtë, studentët, dhe gjithë shtresat tjera shoqërore duhet të fokusojnë angazhimet e tyre deri më 2 nëntor, në një çështje të vetme dhe tepër sublime: Që Kërçova të vazhdojë të mbetet Uskanë!
Nëse ndodhë e kundërta, na mbetet që Uskanën ta mbajmë gjallë vetëm nëpër këngë, kurse Kërçovën ta mësojmë vetëm si histori me do protagonistë që penguan defaktorzimin dhe enklavizimin territorial të shqiptarëve. Më 2 nëntor kjo histori mundet sërish të ribëhet, sepse Kërçova është test moral e kombëtar i gjithë shqiptarëve të Maqedonisë!








