Sot kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me kryetarët e bashkive mbi ecurinë e Paketës së Maleve, një nga instrumentet sipas qeverisë më të rëndësishëm për zhvillimin e territorit që bashkitë kanë në dispozicion.
Kryeministri Rama theksoi se kjo paketa është një politikë jashtëzakonisht nxitëse për të krijuar një platformë investimesh në territoret malore që synon t’i japë zgjidhje një problemi të vjetër, mbi 30 vjeçar, përmes mundësive të reja, në të gjithë vendin.
Kryeministri tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të bashkive që të mos vonojnë në përgatitjen e hartave të zonave prioritare dhe të jenë në gatishmëri të plotë për të asistuar të gjithë të interesuarit në lehtësimin e procesit të aplikimit.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! E pamë të udhës ta bëjmë këtë takim edhe publik sepse ne besojmë që bëhet fjalë për një politikë jashtëzakonisht nxitëse për të krijuar një platformë investimesh në territoret malore dhe fakti që në ditën e parë që u hap kanali i komunikimit online lidhur me këtë Paketë, pati 800 shprehje interesi nga shumica dërrmuese shqiptarë jashtë Shqipërisë, flet vet për fuqinë tërheqëse që ka kjo Paketë.
Nga ana tjetër, e bëjmë këtë takim sepse kemi shqetësimin që po ecet me një ritëm jashtëzakonisht të ulët në raport me atë që Paketa vetë ka në thelb, shpejtësinë. Shpejtësinë në kuptimin e një burokracie të lehtësuar maksimalisht dhe shpejtësinë në kuptimin e mundësisë për t’i dhënë një përgjigje shumë të shpejtë atyre që shprehin këtë interes dhe kjo vonesë është dekurajuese për ata, të cilët tanimë e kanë çuar sinjalin e tyre që janë të interesuar të hyjnë në këtë proces dhe prej disa muajsh nuk kanë marrë akoma përgjigje dhe kjo është tërësisht e kundërta e frymës me të cilën u konceptua dhe u aprovua kjo Paketë.
Nga ana tjetër, vetë Paketa e pranoj që ka disa ngarkesa të tepërta nga pikëpamja burokratike edhe pse është shumë më e lehtësuar sesa ç’ka qenë ndonjëherë më parë, një proces për të pasur akses në një pronë, të cilën e disponon de fakto, por nuk e disponon me letra dhe për këtë arsye unë i kam thënë dhe disa deputetëve qe ma kanë shprehur këtë shqetësim, që të bëjnë amendimet përkatëse të ligjit dhe me shpejtësi të lehtësohet ligji edhe nga ndonjë ngarkesë e tepërt, por ama ngarkesat nuk kanë lidhje me vonesat nga ana juaj. Vonesa nga ana juaj është vonesa nga ana juaj.
Ti Kreshnik për shembull, çfarë të ka penguar ty që të besh hartën e zonave prioritare dhe ta dërgosh në qeveri? Nëse je duke pritur përgjigje nga ASHK se nuk ta drejtova kot pyetjen, – ta drejtova se të pashë ty, por këtë pyetje mund t’ia drejtoj të gjithë të tjerëve, – nëse ti pret përgjigje nga ASHK, ti nuk ke kuptuar ligjin. Nuk ke kuptuar paketën, nuk ke kuptuar asgjë. Sepse paketa është ekzaktësisht ilaçi i një dhimbje 30 e kusur vjeçare të njerëzve që e kanë tokën, nuk e kanë pranuar 7501 ose për një 1001 arsye nuk e kanë marrë akoma dokumentin që i jep edhe me letër atë që e kanë me zakon dhe duan të investojnë në tokën e tyre, mirëpo të gjithë kemi ngritur duart lartë me vite sepse s’kanë letrat.
Bëmë ligjin 20/20 për të adresuar këtë problem dhe përsëri rezultati nuk ishte ai i dëshiruari sepse përsëri ka një komplikim të pashmangshëm mendoj unë për të marrë gjithë miratimet e gjithë atyre kufitarëve të pronës përkatëse, gjë që për shumë raste shfaqet shumë e komplikuar për faktin se kufitarët mund të jenë në vende të ndryshme të botës, për faktin se një pjesë e tyre edhe nuk gjenden, për faktin se një pjesë e tyre dhe mund të mos duan etj.
Dhe pikërisht për këto arsye ne kemi ndërtuar këtë Paketë, e cila i jep mundësinë atij që e ka tokën që të vijë në bashki dhe të thotë “unë dua të ndërtoj këtu një agroturizëm, dua të ndërtoj këtu një fermë”. Paketa i jep përgjigje edhe asaj problematike që nuk ia jep ligji 20/20. Kjo paketë u bë për të lehtësuar totalisht ata që duan të investojnë në tokën e të parëve të tyre dhe që nuk i kanë dokumentet. Për këtë u bë!
Vijnë në bashki, shprehin interesin dhe bazuar në faktin që toka nuk është një territor i kontestuar siç është rasti në shumicën dërrmuese të këtyre zonave ku territoret përkatëse aty ku 7501 nuk është pranuar nuk janë të kontestuara, në shumicën dërrmuese, publikohet shprehja e interesit për të pritur kontestime nëse ka, për 45 ditë që dhe kjo është prapë një afat që mund të bëhet dhe më i shkurtër dhe në momentin kur nuk ka kontestime nga të tjerë që thonë “jo se kjo është toka ime” atëherë personi i drejtohet ministrisë përkatëse me projektin dhe merr një kontratë, e cila është një kontratë me një euro siç jepet një kontratë për një tokë publike, ai e bën investimin dhe deri kur të zgjidhet përfundimisht problemi dhe ai të regjistrojë në hipotekë tokën edhe falë investimit, zotëron plotësisht të drejtën që të bëjë investimin.
E njëjta gjë vlen edhe për marrjen e mbështetjes nga fonde të ndryshme, përfshirë edhe fondet e Bashkimit Europian, kur ke në dispozicion këtë dokument, këtë kontratë, këtë marrëveshje të drejtpërdrejtë të menjëhershme, pa burokraci, pa histori.
Tani ajo që ne nuk kemi pritur është që procesi të ngeci aty, ku në fakt është hapi më i thjeshtë dhe më i shpejtë, hapi juaj, që të përcaktoni zonat dhe t’ia çoni qeverisë, e të thoni në këto zona ne duam të hapim rrugën e kësaj Pakete, duke praktikisht përjashtuar vetëm ato pjesë që janë zona të mbrojtura, e kështu me radhë, ku përsëri ekziston mundësia e bërjes së një investimi me karakteristikat e përcaktuara në ligjin përkatës, por që në atë rast duhet të kalojë nga tjetër kanal.
Tani pse nuk bëhet kjo? Çfarë e pengon këtë punë që njerëzit rrinë presin që t’iu hapet rruga dhe nuk kemi hartat e këtyre zonave të përcaktuara, vetëm Përmeti, Skrapari, Elbasani, Belshi dhe Tropoja kanë sjell hartat, shumë e thjeshtë. Unë do t’iu lutesha shumë që e para të bëni menjëherë përcaktimin e zonave, duke përfshirë në këndvështrimin tim sa më shumë territore, thashë përveç atyre pikave ku për arsye ligjore është e pamundur të investohet.
(i drejtohet Kryetarit të bashkisë së Kukësit) Një nga shtysat kryesore për këtë paketë kanë qenë kuksianët, ku niveli i interesimit për të investuar në ato territore është shumë i lartë nga ata që janë në emigracion dhe sa herë kam ardhur atje ma ke ngritur këtë problem, që “kemi shumë kërkesa, por nuk kanë letrat e tokës sepse nuk e kanë pranuar 7501” . Ka 5 muaj që i ke në dispozicion të gjithë instrumentet dhe akoma nuk ke sjellë hartën që është fare e thjeshtë, s’ka asnjë shkencë. Hiq qytetin dhe gjithë territori përjashto se çfarë ka, – e përsëris, zonë të mbrojtur me ligj, – është brenda kësaj pakete dhe jo vetëm që duhet bërë urgjent harta, por duhet të ngrini një task-forcë në çdo bashki. Një task-forcë me tre persona që të ndjekin këmba-këmbës dhe t’i rrinë pronto njerëzve që bëjnë shprehje interesi, që t’ia u shpjegojnë, që t’i nxisin, që t’ua lehtësojnë procesin, sepse, siç e tha ministrja, 500 të parët që do marrin kontratën, 10 vjet nuk do paguajnë asnjë lloj takse, 10 vjet, asnjë lloj tatimi, por duhet t’i ndihmoni që të jenë tek 500 të parët, nëqoftëse ata e kanë shprehur interesin, duhet t’i rrini pronto.
Ministri i Pushtetit Vendor, siç e thashë edhe në fjalën përpara Asamblesë, po përgatit atë draftin për të përcaktuar grantin sipas performancës, ndërkohë që ministrja po përgatit edhe ato dy kritere që do të vlejnë, qoftë për ministritë, qoftë për institucionet e pushtetit qendror, qoftë edhe për bashkitë.
Kriteri i parë, sa do kontribuosh në rritjen ekonomike të vendit? Nuk mund të jenë të gjithë konsumatorë të rritjes, duhet të jenë dhe kontributorë në rritje. Nuk mund të jetë historia mblidh të ardhura nga qytetarët përmes taksave dhe pastaj shpërndaj, dhe pastaj kërko më shumë nga të ardhurat, po duhet të jetë dhe krijimi i të ardhurave të tjera dhe bashkitë duhet të jenë në pararojë për të krijuar të ardhura në ekonomi, të ardhura që krijojnë rritje ekonomike dhe ky është një nga instrumentet.
Rritje ekonomike në nivel vendor dhe pastaj të gjitha së bashku kanë atë kontributin e tyre dhe në nivel kombëtar dhe si do ndodhi kjo nëqoftëse shprehjet e interesit për të investuar në territoret tuaja përballen me indiferencë dhe përballen me burokraci dhe përballen me vonesa në muaj të tërë, kur ky instrument pritej prej jush dhe pritej prej qytetarëve me vite të tëra. Si do ndodhi kjo? Kjo nuk mund të ndodhi, po qe se nuk punohet në këtë drejtim. Saranda ka detin, po Saranda ka edhe territore rurale, Olti.
Territore rurale me shumë potencial, Konispoli po ashtu. Kryetari i Bashkisë së Konispolit nuk duhet të merret me një zjarrfikës, që “jo hyri në punë, jo s’hyri në punë, jo do ikësh, jo kush jam unë, jo kush je ti”, po duhet të merret me këtë instrument dhe me instrumente të tjerë për të rritur ekonominë atje dhe kjo vlen për të gjithë deri te Benet Beci, që ka qenë promotori i kësaj pakete dhe unë Shkodrën, nuk e shoh këtu.
E kemi nis këtë punë bashkë, kur ti nuk kishe mjekër, unë kisha, ti s’kishe. Tani ty mjekra të është bërë si unë, edhe nuk ka ardhur akoma harta, po të paktën në këtë rast, edhe me Memaliaj edhe Fushë Arrëzi që janë hudhrat që na mbrojnë nga syri i keq me lëkurën e tyre blu, nuk na kanë sjellë gjë, kështu që ju kanë shpëtuar nga vënia në pozitë shumë të vështirë, sepse po të kishin sjellë ata, pastaj do ishte problem i madh, por as ata nuk kanë sjellë gjë, që tregon që si majtas, si djathtas, kur shqiptarët flenë gjumë, flenë gjumë.
Zgjohuni nga ky gjumë edhe brenda muajit tetor duhet të vijnë të gjitha hartat.
Flas për të gjithë ju që mund t’ua jap edhe në formë urdhërore, për ata që janë këtu dhe që nuk mbajnë urdhra nga partia jonë, dera është e hapur, sepse me kryetarin e Memaliajt e kemi folur këtë punë, apo jo? Ma ka shprehur potencialin e madh për këtë punë, ke 5 muaj që ke paketën, po ty të paktën të falet, se ke qenë të zënë me demaskimin e “farsës zgjedhore”. Tani fokusohu te puna, ne jemi gati t’ju mbështesim fuqimisht për këtë, sepse këtu ky është interes kombëtar, është interes i të gjithë qytetarëve. Këtu s’ka të majtë të djathtë, se kjo është ndarje që nuk ka pikë rëndësie kur vjen puna tek puna, kështu që ju lutem shumë fokusohuni shumë fort në këtë pikë, hartat.
Thjesht fare, pa asnjë komplikim, territore që nuk janë ligjërisht të pandërtueshme dhe që janë territoret malore, territoret rurale. Durrësi ka territore të tëra që janë kodrinore, ku ka agroturizëm. E njëjta gjë vlen pa diskutim, mbase edhe më shumë për Lezhën, se Lezha nuk është Pjerini këtu këtu, po Lezhë ka edhe alpe, i thonë ata, megjithëse alpet i ka Beneti, po ata i konsiderojnë të tyre edhe det, e kështu me radhë.
Pra, në të gjithë Shqipërinë është kjo mundësi për t’i dhënë një shtysë më shumë turizmit malor. Këtu në këtë lokal që jemi sot, deri tani, nga 1 janari kanë hyrë 28 mijë turistë të huaj, këtu. Këtu ishte një gropë, ish-repart ushtarak pa asnjë lloj këmbe njeriu, po vetëm rrënoja, kjo këtu është një zonë, një pikë që prodhon ekonomi dhe pika të tilla mund të ndërtohen në çdo cep të Shqipërisë. Në çdo majë mali. Sepse tani e kemi parë, nuk është diçka që thjesht e imagjinojmë, cilido që ka ndërtuar agroturizëm, cilido që ka hapur derën e një shtëpie të vjetër në fshat edhe në zona ku është shumë e vështirë të shkosh, ja ka parë hajrin familjarisht dhe bashkë me të tjerë aty. Në pika, ku përndryshe nuk bën sens të mendosh që mund të bësh sukses me bujqësi, sepse je shumë larg nga tregu dhe je shumë larg mundësisë për të krijuar masë kritike, por të vjen tregu te dera dhe të troket.
Më dëgjon ti kryetari i bashkisë së Devollit?! Duhet të vijë harta për zhvillime rurale, tani duhet të kesh investime në këtë drejtim.
Nëse Majlinda Bufi ka ndonjë gjë për të thënë, jepjani mikrofonin. Nuk e përmenda Toskanën se mu duk si lapsusi i Ervinit që s’e ka shkruar këtu, se normalisht unë mendoj që t’i i ke sjellë këto harta.
Kryetarja e bashkisë së Roskovecit: E vërteta është që nuk i kam sjellë dhe padyshim është autokritikë jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që nuk i kanë sjellë. Do ta përmbushim afatin që ju keni vendosur. Ne kemi filluar punën, por nuk e kemi finalizuar. Faleminderit që nuk na kritikove!
Kryeministri Edi Rama: Jo sepse mu kujtua që ke bërë shumë punë dhe nuk doja të të vë në një resht me të tjerë, megjithëse dhe këta kanë bërë ato që kanë mundur, por që ti të mbetesh në një rresht me Memaliajn dhe me Fuzhë- Arrëzin, kjo nuk më pëlqen.
Kryetari i bashkisë së Fuzhë- Arrëzi: Ne e kemi ndjekur hap pas hapi, por informacioni për zonat që do i përcaktojë bashkia, nuk ka qenë i mjaftueshëm, kurse aplikuesit kanë qenë të kënaqshëm. Po na falet se jemi bashki të vogla.
Kryeministri Edi Rama: E para, ju ju falet dhe ndonjë gabim më shumë, se aq gabime sa bëni ju, punë e madhe se u bë dhe një gabim tjetër, por ajo që the është thelbësore. Interesimi është shumë i madh dhe nuk e di ekzakt sa shprehje interesi keni pasur ju në bashkinë tuaj me numër, por janë mijëra shprehje interesi në Shqipëri. Këta janë të gjithë njerëz që në fund fare thonë “na rrejti Edi Rama”, kjo politikisht ty mund të të japë një optimizëm të përkohshëm, derisa të vijnë zgjedhjet e tjera, jo lokalet se në lokalet nuk ngatërrohemi me ty ne, por flasim për të përgjithshmet dhe hartat janë fillimi i punës.
Normalisht, unë mendoj që udhëzimi mund ta ketë pasur një problem, por nga ana tjetër, udhëzimi është lehtësisht i kapërcyeshëm edhe me ngritjen e telefonit, komunikimin me ministrin për t’i sugjeruar diçka tjetër, dhe udhëzimi tanimë është ndryshuar. Gjithsesi, udhëzimi dhe ashtu siç ishte nuk të pengon që ti të fusësh në zonën e zhvillimit gjithë ato territore malore, ku nuk të pengon një ligj tjetër, siç mund të jetë ligji i zonave të mbrojtura, ku duhet një tjetër kanal. Se dhe aty është mundësia, por duhet një tjetër kanal. Që të mos humbasim kohë me “si, qysh, tek”, prandaj e bëmë këtë takim dhe prandaj po insistoj edhe në prani të publikut, që të paktën ata që e kanë shprehur këtë interes, ta dinë që pse po vonohet dhe ta dinë që nuk do të ketë më vonesë, të paktën në këtë fazë.
Unë ju sugjeroj, që të mos vijë puna prapë për një vonesë tjetër, paralelisht me hartat, të cilat e përsëris bëjini fare të thjeshta, mos u nisni thjesht nga ku keni shprehjet e interesit se mund të vijë një shprehje interesi nesër në një kodër tjetër që nuk e ke përfshirë, dhe pastaj do t’i thuash atij, shiko se nuk je te zona e zhvillimit, sa të bëhet harta. Bëjeni të gjerë hartën dhe ngrijeni një task-forcë menjëherë që të merret personalisht me të gjithë ata njerëz që janë të interesuar. Jo të gjithë ata që janë të interesuar do të arrijnë deri në fund mbase sepse duhet të bëjnë projektin ashtu siç duhet e të tjera, por të gjithëve i duhet bërë shërbimi deri në fund, duke i orientuar.
Në momentin që do shpallet zona, ata do duhet të paraqesin kërkesën zyrtarisht që ju do duhet ta shpallni në faqen e bashkisë, në zyrat e bashkisë, me listë ku njerëzit e tjerë të mund të vijnë dhe të kontestojnë në rast se dikush po pretendon diçka që s’është e veta. Kur mbaron edhe kjo fazë, emrat shkojnë në këshill bashkiak.
Këshilli bashkiak i miraton, pra del garant për ta dhe në fund të ditës, ajo që marrin ata është një tokë aktualisht shtetërore, e paregjistruar si tokë private, me një kontratë që përkundër investimit, bëhet toka e tyre dhe në rast se shfaqen konflikte në të ardhmen, ato konflikte i merr përsipër shteti. Pra, në rast se pas X vjetësh, paraqitet një kushëri dhe thotë se ky, ai problemin do e ketë me shtetin.
Shteti do ta ketë me atë, jo me personin. Pra është hapur rruga plotësisht. Na duhet vetëm që ne t’i rrimë mbi kokë sepse ju e dini dhe skepticizmin që kanë njerëzit, ju e dini dhe sesi me të drejtë menjëherë mund të dorëzohen se ja dhe kjo, “na thanë kështu po s’qenka kështu”.
Tani bëni një llogari shumë të thjeshtë dhe shumë konservatore. Këto lloj investimesh mund të shtrihen nga, le të themi 30 mijë euro në 500 mijë euro, në varësi nga projekti. Por, po ju marr jo 4000 sa ç’tha ministri, por po ju marr 1000 nuk arrijnë suksesin, po ju marr 3000 aplikime që përfundojnë me sukses dhe po ju marr një shifër, më të ulëtën e mundshme, 30 mijë euro që nuk diskutohet që do jetë shumë më e lartë. Janë 90 milionë euro investim. 90 milionë euro! Po të mos jenë 30 mijë, po mos të marr 30 mijëshin, por të marr 300 mijëshin si mesatare bëjeni vet llogarinë sesa shumë investim është dhe çfarë do të thotë për çdo lloj bashkie dhe për çdo lloj zone më të thelle ky lloj investimi. Dhe sa turistë dhe sa vizitorë do të sjellë deri atje që do të konsumojnë atje dhe rrugës. Dhe këtu s’jemi vetëm në agroturizëm, jemi dhe në fermë, jemi dhe në projekte mikse me energji të rinovueshme etj.
Prandaj ju lutem shumë, fokusohuni në këtë instrument sepse do t’ju japë jashtëzakonisht shumë krahë dhe nga ana tjetër është detyrimi që i kemi gjithë atyre njerëzve, që duan të investojnë në tokën e të parëve të tyre, qoftë ata që janë në qytet për të investuar në fshat, qoftë dhe ata që janë jashtë për të investuar në vendlindje.
Kryetari i Bashkisë Maliq: Në fakt dhe ne kemi punuar edhe pse aplikimet 57 janë në zonën tonë edhe pse nuk janë pak. Jemi duke përpiluar hartën, kemi patur një problem për të ndarë zonat e zhvillimit pasi ka një shpërndarje në zonën malore.
Kryeministri Edi Rama: Ti e di fjalën time, çfarë nuk bëhet për tre ditë, nuk bëhet as për tre vjet. Kështu që tre ditë kohë tani, mbylleni këtë histori.
Kryetari i bashkisë Skrapar: Ne kemi arritur t’i kontaktojmë të gjithë aplikantët. Janë 71, por ama i kemi sqaruar.
Kryeministri Edi Rama: 71 në Skrapar është një shenjë shumë pozitive sepse ata 71 nëqoftëse do t’i rrish mbi kokë dhe ju e keni bërë, jeni këtu dhe bile në konflikt total interesi ministri të ka vënë të parin, Skrapari i pari pastaj vijnë të tjerët se Berati akoma s’ka sjellë gjë. Po të ishte Berati, do ishe mbrapa ti. Por 71 janë shenjë realisht pozitive.
Kryetari i bashkisë Skrapar: Dua të del tek disa nga problemet. Disa nga aplikimet janë në Malin e Tomorit i cili është Park Kombëtar dhe ne si bashki ndeshemi me një problem që ndërkohe që janë sot 19 kontrata që subjekte të ndryshme kanë përfituar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura paraqesin kërkesën në bashki për t’u pajisur me leje, është Agjencia e Zhvillimit të Territorit që na është bërë pengese.
Kryeministri Edi Rama: Nuk është Agjencia e Zhvillimit të Territoret sepse Agjencia e Zhvillimit të Territorit nuk mund të miratojë asgjë që nuk merr miratimin nga ministria përkatëse e linjës. Sepse Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka bord, në bord janë gjithë ministrat përkatës.
E thashë dhe përpara se të jepje këtë shpjegim dhe mirë që e dhe sepse vlen dhe për të tjerët. Tek zonat e mbrojtura, sipas ligjit ne i kemi kategorizuar dhe përveç atyre zonave që janë në kategorinë më të lartë të mbrojtjes ku s’mund të bësh dot asgjë, në pjesën tjetër, këto lloj investimesh që janë miqësore me mjedisin dhe që promovojnë turizmin janë të mundura, por është kanal tjetër. Pra nuk hyn tek Paketa e Maleve. Pra, në rast se do investosh në një zonë që është zonë e mbrojtur do bësh një agroturizëm si gjithë të tjerët dhe do marrësh ato benefite që marrin të tjerët se faktikisht agroturizmi dhe kështu siç është pa Paketën e Maleve është me incentiva fiskale të jashtëzakonshëm, nuk ka asnjë lloj peshe, barre fiskale.
Ka edhe një element tjetër që është shumë i rëndësishëm, që ne kemi ndryshuar komplet qasjen në vitet e fundit që çfarë është tokë shtetërore, nuk jepet siç është dhënë më parë. Ne, në fakt pak kemi bërë, fare pak në fillime kemi bërë nga këto lloj kontratash, nuk jepet një tokë shtetërore po qe se vetë shteti nuk është bashkëaksioner po themi, përmes Agjencisë, përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve në rastet kur ka një tokë shtetërore dhe ka një interes zhvillimi, shteti futet si partner. Ama në rastet kur toka figuron shtetërore, por hyn tek ajo kategori që po diskutojmë këtu, e tokave që nuk janë regjistruar për shkak se nuk është pranuar 7501, po ndërkohë nuk ka konflikte mes kufitarëve, atëherë hyn formula e dhënies, sepse ti faktikisht po jep apo jo, po jep tokën e tij. Ajo figuron aty në letra si shtetërore, sepse ai nuk ka marrë dokumentin, gjë që nuk është rasti për pjesë të tjera, se këtu ka edhe pjesë, për shembull, së fundmi kemi zbuluar një operacion kriminal për marrjen e një sasie të madhe toke me dokumente të falsifikuar dhe falë laboratorit të policisë shkencore kemi provuar të gjithë falsifikimin dhe duhet ta dinë të tërë ata që vijnë për t’u regjistruar me këto lloj letrash, që do kalojnë nga policia shkencore dokumentet dhe për këtë rastin që po flas do ta ndjekim deri në fund me prokurori, me gjykatën e të gjitha ça të jenë, edhe pse pastaj kur vjen puna tek gjykatat aty, siç e kemi vënë re, hasim me situata anti-shtet akoma sot.
Kur po vija, pashë disa masa sigurie të gjykatës administrative për këto ngrehinat që e zënies së hapësirave publike që masa sigurie të vitit 2019 e të vitit 2020, akoma në masë sigurie, ato rrinë atje, zaptues atje dhe ndërkohë gjykata bën sikur nuk i sheh, po kjo është temë tjetër.
Tema këtu është toka që do të zhvillosh dhe për cilën ligji 7501 nuk të shkon ose s’të ka shkuar për 30 vite dhe për të cilën ke një plan investimi. Ky është thelbi i Paketës së Maleve, të tjerët natyrisht mund të investojnë dhe janë të lirë të investojnë, nuk diskutohet po Paketa është për të nxitur këtë lloj procesi në territoret e Shqipërisë, që janë super atraktive dhe ku faktikisht, çështja e dokumentacionit është ende e pa trajtuar në mënyrë shteruese, këtë bëjmë ne me këtë.
Për Malin e Tomorrit, se ti fole vetëm për njërën anë të medaljes, është dhe ana tjetër e medaljes që janë ato guroret dhe ato shfrytëzimet e tjera, që natyrisht, kur njeriu sheh gurore, thotë pse do rris vetëm dele, po bëj dhe një hotel. Por nuk duhet të funksionojë ekzaktësisht kështu, por ideja për të bërë një master plan, është një ide shumë e mirë dhe ne do ta çojmë përpara me Agjencinë e Planifikimit sepse i duhet dhënë një përgjigje, i duhet dhënë një drejtim tërësor, një drejtim strategjik gjithë atij territori për të ruajtur atë që duhet të ruhet dhe për të parë se çfarë mundësish ka, që pikërisht që në funksion të ruajtjes, të mund të bëhet dhe shfrytëzim i arsyeshëm i territorit.
Kjo nuk është thirrje që “hajdeni se kanë dalë disa toka shtet, nëpër male dhe shkoni, kapini”.
Thirrja është kush ka tokën e të parëve nëpër male, ta marrë ta gëzojë. Ato janë procese të tjera, me të tjera kanale. Aty për shembull, bashkia e Pogradecit mund ta bëjnë një projekt, dhe jam serioz në këtë pikë, mund ta bëjë një projekt si partnere.
Partnere me një subjekt, apo me disa subjekte private. Futesh në partneritet, siç janë të gjithë bashkitë në jugun e këtij rajoni, te fqinjët tanë, vëllezërit dhe motrat tona në Greqi që janë bashkitë partnere në shumë struktura që janë struktura mikpritje.
Po bëni një partneritet. Futeni bashkinë në një punë që të nxjerrë dhe disa lekë bashkia, dhe jo vetëm lekët e shtetit, të buxhetit, të të ardhurave, të taksave, të këtyre, të atyre, por dhe të prodhohen disa para, të gjenerohen disa të ardhura.








