-sidi education-spot_img
18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Gaz Bardhi: Raporti i ODIHR-it e faktoi, Balluku grabiti zgjedhjet

Kryesoret

Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi ka bërë një reagim të gjatë mbi raportin e OSBE-së për zgjedhjet e 11 Majit, që sipas deputetit demokrat ishin farsë e plotë.

“Raporti final i OSBE/ODIHR-it fakton pa asnjë ekuivok se zgjedhjet parlamentare të 11 majit ishin një farsë e plotë elektorale. Vëzhguesit ndërkombëtarë konfirmojnë  se “Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe ndikimit institucional, duke e zhdukur vijën ndarëse midis shtetit dhe partisë. U vunë re akuza për ushtrimin e presionit ndaj punonjësve publikë, raste të frikësimit të mbështetësve të opozitës dhe keqpërdorimi i rrjeteve të patronazhimit, gjë që nuk përputhet me standardet ndërkombëtare. Çështje të tjera shqetësuese përfshinin raportime për blerje votash, përpjekje për të ndikuar padrejtësisht te votuesit vulnerabël dhe ndikimin e elementëve kriminalë në zgjedhje në disa zona të vendit.”.

Shembulli më flagrant i farsës elektorale të 11 majit është qarku i Fierit dhe drejtuesja politike e Partisë Socialiste Belinda Balluku, e cila sillet në raport në shumë raste për të ilustruar shkeljet e rënda të standardeve demokratike të zgjedhjeve.

Vëzhguesit ndërkombëtarë konstatojnë se “Numri më i lartë i eventeve publike u regjistrua në bashkitë e qarkut Fier, ku Zëvëndëskryeministrja Belinda Balluku ishte drejtuese politike e PS-së. Ka pasur akuza dhe raportime të dorës së parë nga punonjës bashkie që u është ushtruar presion nga eprorët e tyre për të marrë pjesë në aktivitete elektorale të Partisë Socialiste në Fier. Ka pasur akuza për presion ndaj punonjësve të sektorit publik që të japin informacione për familjarët ose miqtë e tyre që jetojnë jashtë vendit në Fier. Ka pasur raportime të dorës së parë për kërcënime në Fier. Gjithashtu ka pasur akuza se votues të ndryshëm janë ndaluar nga pjesëmarrja në aktivitete të partive opozitare nga frika e ndëshkimit. Për më tepër, janë raportuar akuza për frikësim të votuesve nga Policia në Fier.”.

Belinda Balluku dhe banda e saj elektorale përdorën burimet shtetërore, administratën publike, Policinë e Shtetit dhe grupet kriminale për të intimiduar, kërcënuar dhe frikësuar me qëllim për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve të Fierit brenda dhe jashtë vendit. Raporti final i OSBE/ODIHR-it është një shuplakë e fortë edhe për task forcën SPAK-KQZ-Prokuroria e Përgjithshme, e cila dështoi të konstatonte shkeljet e rënda të ligjit të Belinda Ballukut dhe bandës së saj elektorale, që u panë me sy të lirë nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe kushdo që nuk ishin zënë sytë nga hija e zezë e korrupsionit dhe krimit të organizuar që sjell më vete Belinda Balluku kudo që shkon.

Zgjedhjet e lira dhe të barabarta janë burimi i legjitimitetit demokratik të Parlamentit dhe Qeverisë. Raporti final i OSBE/ODIHR-it provon se zgjedhjet nuk ishin as të lira dhe as të barabarta, e për rrjedhojë ato nuk kishin si të prodhonin institucione legjitime. Asgjë e mirë nuk mund të vijë nga një Parlament dhe Qeveri jolegjitime, prandaj është detyrë jonë tashmë, e Partisë Demokratike, e opozitës, e shoqërisë civile, medias së lirë, qytetarëve të ndershëm që të bëjmë çdo përpjekje, çdo sakrificë, çdo betejë për largimin një orë e më parë të Qeverisë më ilegjitime në 30 vite dhe bëjmë të mundur rotacionin politik përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme” tha ai.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit