Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, për lirim nga qelia, në lidhje me çështjen e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit.
Vendimi u dha nga gjyqtari Erjon Bani, i cili argumentoi se nuk është kaluar afati trevjeçar i paraburgimit, ndaj masa ndaj Kokës mbetet në fuqi.
Koka kishte kërkuar konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit, por gjykata e rrëzoi pretendimin dhe e ngarkoi atë me shpenzimet gjyqësore.
Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda pesë ditëve.
Në korrik të këtij viti, ish-ministri kishte përfituar lirimin me kusht nga Gjykata e Durrësit për dënimin prej 6 vite e 8 muaj burg për inceneratorin e Elbasanit, me detyrimin për të qëndruar nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës dhe për të mos kryer vepra të tjera penale.








