Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila është regjistruar si person nën hetim nga SPAK për çështje tenderash.
Rama për Deutsche Welle deklaroi se “drejtësia ka punën e saj” dhe se deri sa çështjet të marrin formën e tyre të prerë, të gjithë janë të pafajshëm.
Nga ana tjetër, Berisha e komentoi situatën me ironi dhe kritikë, duke shkruar: “Nuk ka asnjë koment sepse kanë ndarë paratë bashkë!!” dhe postoi videon e Ramës për DW.
Belinda Balluku është thirrur të paraqitet në SPAK të hënën, e shoqëruar nga një avokat, ndërsa Prokuroria e Posaçme ruan rezervën për detajet e hetimit që lidhen edhe me tenderin e tunelit të Llogarasë. Balluku është zëvendëskryeministre që prej korrikut 2022 dhe ministër infrastrukture që nga janari 2019.









