Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, akuzoi Bashkinë e Durrësit se i ka dhënë kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, e cila ndodhet nën sekuestro nga SPAK, një tender me vlerë 2 milionë euro në vit për depozitimin e mbetjeve urbane. Vangjeli tha se kontrata është e lidhur pa transparencë dhe ngre dyshime për abuzim me procedurat e prokurimit, pasi është përdorur negociimi pa shpallje paraprake, që sipas saj nuk justifikohet ligjërisht.
“Depozitimi i mbetjeve urbane në Durrës është kthyer në një tjetër histori të dyshuar korruptive, me kontrata pa transparencë dhe me miliona euro që përfundojnë në llogaritë e një kompanie që ndodhet nën sekuestro për shkak të hetimeve nga SPAK,” tha Vangjeli.
Partia Demokratike kërkon nga SPAK të hetojë me urgjencë këto kontrata, pasi sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk garantojnë qëndrueshmëri financiare dhe inceneratori për mbetjet nuk ekziston, duke rritur dyshimet për shpërdorim të fondeve publike.








