Gjatë fjalës së saj në takimin e parë të komisionit, Tabaku theksoi rëndësinë e reformave të thella dhe transparencës në procesin e integrimit.
Ajo u shpreh se nuk mund të matet progresi i Shqipërisë vetëm me statistika apo prezantime propagandistike.
“Integrimi nuk është statistikë, por ndryshim i ndershëm dhe reforma reale,” – tha Tabaku, duke shtuar se rruga europiane e vendit po zhvillohet pa konsultim me opozitën dhe publikun.
Deputetja kritikoi gjithashtu modelin aktual ekonomik, të përqendruar tek ndërtimi dhe jo prodhimi apo inovacioni, duke e lidhur këtë me rritjen e korrupsionit dhe pastrimin e parave. Ajo përmendi si shembuj aferat e Aeroportit të Vlorës dhe Portit të Durrësit, duke theksuar se projektet publike kanë shkelur parimet e konkurrencës dhe transparencës.
Tabaku ritheksoi rëndësinë e lirisë së medias dhe përkushtimin e opozitës ndaj rrugës europiane.
“Integrimi europian është detyrim ndaj demokracisë, drejtësisë dhe mundësive të barabarta. Shqipëria duhet të jetë europiane jo vetëm në fjalë, por edhe në vepra,” përfundoi ajo.








