Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, gjatë diskutimeve në Këshillin e Stabilizim-Asociimit, kritikoi qeverinë për mungesë transparence dhe skema korruptive në investimet strategjike, duke paralajmëruar se Shqipëria po humbet shansin për integrim në Bashkimin Europian.
“Turizmi po përdoret si alibi për skemat korruptive e preferenciale te ‘investimeve strategjike’. Këta të fundit kanë përfituar këtë status në mungesë të procedurave konkurrente dhe transparencës publike, shpesh persona të lidhur me pushtetin politik apo me kapital të dyshimtë,” deklaroi Zhupa, duke përmendur rastin e bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, dhe pastrimin e parave nga krimi i organizuar.
Ajo shtoi se mega-afera e koncesionit të Aeroportit të Vlorës është një “procedurë fiktive dhe mashtrim ligjor” që rrezikon biodiversitetin e lagunës së Nartës, ndërsa kritikat u përqendruan edhe tek ligji për Zonat e Mbrojtura, legalizimi i kanabisit gjatë vitit elektoral dhe aferat e inceneratorëve, ku sipas saj, qytetarët paguajnë çdo ditë nga taksat e tyre për projekte që nuk funksionojnë.
“Bashkimi Europian nuk mbështet aferat korruptive që fshihen pas pretendimeve për zhvillim turizmi apo proces integrimi,” përfundoi deputetja.









