Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot dy seanca plenare. Në orën 10:00 do të shqyrtohet nisma e opozitës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ku do të paraqiten raportet e PS dhe PD.
Demokratët akuzojnë Peleshin për pesë shkelje të rënda të rregullores, kryesisht gjatë seancave të 16 dhe 18 shtatorit, që lidhen me ndryshimin e rregullores parlamentare dhe mungesën e debatit për programin qeverisës “Rama 4”.
Nga ana tjetër, PS mohon akuzat, duke argumentuar se Peleshi ka zbatuar me përpikmëri rregullat dhe kërkon rrëzimin e kërkesës së opozitës. Socialistëve u mjaftojnë 71 vota për ta mbajtur në detyrë kryeparlamentarin.
Në orën 11:30 pritet të nisë seanca e dytë, ku do të raportojnë disa institucione, përfshirë Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Avokaten e Popullit Erinda Ballanca, Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, INSTAT-in, AMA-n dhe RTSH-në. Në rendin e ditës janë parashikuar edhe disa projektligje.








