Ish-deputeti dhe ministër socialist, Ditmir Bushati, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano, duke e cilësuar si një burim frymëzimi dhe figurë kyçe në transformimin e Partisë Socialiste.
Bushati vlerëson rolin e Nanos në reformimin e PS-së nga një parti staliniste në një institucion me jetë demokratike dhe nënvizon devizën e tij:
“Fatos Nano ka meritën e jashtëzakonshme që transformoi Partinë Socialiste, nga partia më staliniste në Europë, në partinë e vetme në Shqipëri, me jetë të gjallë demokratike… Botëkuptimi i tij liberal, kapaciteti intelektual dhe mendja e shpejtë simbolizohen tek deviza e tij: ‘të sakrifikojmë pushtet për të bërë shtet’.”
Bushati kujton gjithashtu mençurinë dhe drejtësinë e Nanos, duke shtuar se ai ndau pushtet dhe përgjegjësi, nuk iu nënshtrua impulseve të hakmarrjes dhe organizoi për herë të parë dorëzimin paqësisht të pushtetit, duke konsoliduar një vend të rëndësishëm në historinë politike të Shqipërisë.
Ai përfundon mesazhin me një nderim personal dhe institucional:
“Nderim dhe respekt për Fatos Nanon! U prehtë në paqe!”








