E nderuar Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese,
Edhe pse e di mirë se kjo është e drejta ime kushtetuese, dua t’ju falenderoj me respekt që më keni dhënë mundësinë të jem sot i pranishëm, për të ushtruar të drejtën time, për t’u dëgjuar para Jush dhe para gjithë shqiptarëve.
Beteja ime për t’u dëgjuar prej jush vjen pas një sage të gjatë zhgënjyese, për të dëgjuar se çfarë kam bërë, që jam rrëmbyer nga zyra, ku më kanë zgjedhur qytetarët, dhe jam mbyllur në një qeli me regjim burgosjeje më të rëndë se vrasësit serialë.
Kam përjetuar një periudhë të gjatë, të mbushur me shkelje të të drejtave të mia themelore si qytetar i kësaj Republike, por mbi të gjitha, një periudhë denigrimi dhe përpjekjeje për të heshtur zërin e një të zgjedhuri, tre herë radhazi nga qytetarët e Tiranës.
Por, kjo nuk është thjesht përpjekje për të më denigruar mua, por është përçmim ndaj vetë votës, ndaj gjësë më të shenjtë që ka demokracia. Dhe përçmimi ndaj saj është përçmim ndaj forcës që kanë qytetarët; është përçmim i fuqisë që populli i jep Republikës për ta drejtuar në emër të tij.
Siç thoshte Martin Luther King: “Harku i Universit Moral është i gjatë dhe rraskapitës, por në fund anon nga e drejta.”
Ndaj, jam sot këtu, përpara Jush, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, qytetit më të madh të kombit tonë, me të drejtën që ma kanë dhënë 160 mijë vota qytetarësh të lirë të këtij qyteti, në fund të këtij harku 9-mujor në kërkim të së drejtës.
Nuk jam këtu për të mbrojtur veten, sepse nuk kam kryer asnjë shkelje. Jam këtu për t’ju drejtuar me gjithë respektin që meriton detyra Juaj e lartë dhe për t’ju kërkuar një gjë të vetme: të mbrojmë së bashku demokracinë që po vihet në sprovë. Demokracinë për të cilën, si unë, ashtu edhe Ju, të nderuar gjyqtarë, jemi betuar ta mbrojmë — jo në letër, por me veprim, edhe në këtë sallë, sot.
Ky mandat nuk është i imi. Ky mandat është një besëlidhje publike, një kontratë që qytetarët e Tiranës ma kanë dhënë me vullnetin e tyre të lirë. Kjo besëlidhje është nderi i jetës sime dhe për mbrojtjen e saj unë do të bëj gjithçka që më lejon ligji, fuqia e mendjes dhe forca e zemrës sime.
Do ta mbroj deri në fund sepse nuk po mbroj një karrige, por shpirtin e një lidhjeje të shenjtë midis qytetarit dhe të zgjedhurit të tij.
Populli i këtij vendi, përmes Kushtetutës së tij, ka vendosur qartë se askush nuk mund ta ndërpresë mandatin e një të zgjedhuri vendor përpara afatit, përveçse kur ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjit.
Ky nuk është një zbulim i ri; është një premtim solemn i Republikës ndaj vetvetes, një kufi moral dhe ligjor që askush — as unë dhe as Ju — nuk duhet ta shkelë pa rrëzuar më parë themelet e besimit publik mbi të cilat ngrihet vetë shteti.
Prandaj, me respekt të plotë dhe solemn për këtë Gjykatë, pyes sot:
Cilën shkelje të rëndë të Kushtetutës apo të ligjit kam kryer unë, në ushtrimin e mandatit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës?
Përpjekja ime për të mbrojtur besëlidhjen me qytetarët e Tiranës, edhe në kushtet e rrëmbimit në qeli, është detyrim imi ndaj qytetarëve.
Besimi im se vota e lirë është më e fortë se kulisat politike është fuqia që më shtyn të bëj këtë betejë.
Bindja ime se drejtësia duhet të burojë nga Kushtetuta dhe jo nga protagonizmi politik apo etja për karrierë mbi kurriz të lirive themelore të qytetarëve është e palëkundur.
Ato çfarë Kushtetuta i mbron, shpresoj që në këtë sallë të thuhen me zë të lartë, të arsyetohen nga Ju dhe të dëgjohen nga çdo shqiptar që ende beson se ligji duhet të të mbrojë, jo të të sulmojë padrejtësisht.
Të nderuar gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese,
Në këtë seancë nuk po shqyrtohet një vend pune. Kjo është një seancë historike, që shqyrton vetë demokracinë shqiptare, themelet mbi të cilat qëndron shteti ynë.
Sepse që nga dita kur miratuam Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe pranuam demokracinë, si vlerën më të lartë të ushtrimit të pushtetit nga sovrani — nga populli — të gjithë ne, qytetarë, politikanë, nëpunës të shtetit dhe Ju, të nderuar gjyqtarë, jemi betuar ta respektojmë dhe ta mbrojmë atë vlerë.
Ne jemi betuar të mbrojmë demokracinë, jo ta përdorim atë. Të ruajmë si pasurinë më të shenjtë të Republikës, jo ta sakrifikojmë për llogari të momentit, për rehati politike apo për urdhra të përkohshëm, që bien ndesh me ligjin e përjetshëm të drejtësisë.
Kjo është çështja gjyqësore që përcakton nëse pushteti do t’u përkasë ende qytetarëve apo do t’u merret atyre në mënyrë të fshehtë e hileqare, pas perdeve të lojërave me nene dhe germa të ligjit. Nëse ligji do të përdoret për të mbrojtur demokracinë apo për ta përmbysur atë në emër të formalizmave.
Sepse kur pushteti që buron nga vota tjetërsohet me taktika për të anashkaluar vetë vullnetin e votës, atëherë besimi i qytetarëve kthehet në tradhti morale. Pushteti që ata na kanë dhënë për t’u shërbyer, përdoret për t’i sunduar, me të njëjtat mjete që na ka vënë në dorë për t’i mbrojtur. E atëherë, Republika nuk rrezikohet nga asnjë armik i jashtëm, por nga vetë ata që, nën betimin për ta mbrojtur, e përdorin për ta nënshtruar.
“Betohem në nderin tim se do të kryej me ndërgjegje detyrën e Kryetarit të Bashkisë dhe do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve.”
Ky ishte një fragment nga formula e betimit tim si Kryetar Bashkie, tre herë i zgjedhur.
Ndaj, jam sot këtu për të mbrojtur deri në fund betimin tim — kontratën time me qytetarët e Tiranës. Një kontratë që ka qenë në zemrën time në çdo orë pune, në çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, në diell e në shi, në çdo rrugë të shtruar, në çdo kënd lojërash, në çdo shkollë, kopësht, çerdhe, apo bulevard, kala, shesh e park që ka ndryshuar Tiranën — nga pandemia e kobshme, ku çonim ndihma të izoluarve, te tërmeti kur ndërtuam shtëpitë e mijëra familjeve.
E do ta mbroj edhe këtu, përpara jush, deri në fund. Sepse nuk besoj se ka diçka më fisnike për t’u bërë, as diçka më frymëzuese për një njeri që i shërben publikut, sesa të mbrojë besimin që i është dhënë me votë. Besimin për të drejtuar jo vetëm kryeqytetin e Shqipërisë, por kryeqytetin e gjithë shqiptarëve, një qytet që rreh me pulsin e gjithë kombit.
E kur beson se ke dhënë gjithçka për këtë mandat të qytetarëve, vjen arsyeja për të cilën të largojnë nga detyra: “Mosprezenca në detyrë për më shumë se tre muaj.”
Nuk kishin si të më fyenin më rëndë. Ishte më e rënda e jetës sime publike, sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se kushdo tjetër dhe që nuk denjuan as të më dëgjonin.
Zoti i faltë! Lutem çdo natë për ta: Zot, fali, se nuk dinë ç’kanë bërë.
Kjo “akuzë” nuk më lëndon për fjalën dhe shkresat e shkreta, por për padrejtësinë që ajo përfaqëson. Siç thotë shprehja: Dy padrejtësi nuk prodhojnë drejtësi.
Padrejtësia e shkarkimit mbi padrejtësinë e ndalimit nuk janë zgjidhje. Sepse të thuash se Erion Veliaj ka munguar në detyrë, nuk është thjesht cinizëm me Erion Veliajn, por me të vërtetën dhe me ligjin.
Mbi të gjitha, e thënë nga ata që kanë qenë dëshmitarë të rrëmbimit nga zyra pa asnjë akuzë, ngjan si një mesazh pasigurie për këdo që mund të shënjestrohet për arsye politike. Ngjan si një mesazh se në këtë vend sundon dëshira dhe vullneti politik, dhe jo ligji.
Nëse është dikush që mund të ankohet për mungesën time, është vetëm nëna dhe familja ime — për një mungesë 10-vjeçare, askush tjetër.
Ata i kam takuar më shumë në burg se në liri, ku prej punës i lija dhe i gjeja në gjumë.
Fort të nderuar,
Që nga dita e parë kur u betova në vitin 2015 si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, jeta ime është bërë njësh me këtë qytet. E kam drejtuar me gjithë forcën time shpirtërore, mendore dhe fizike, pa kursyer asgjë nga vetja. Ky qytet ka qenë familja ime e madhe.
Nuk pretendoj se çdo gjë e kam bërë mirë, apo se çdo gjë që kam dashur ta bëj, kam mundur ta bëj. Por, një gjë e di me siguri: Askush nuk mund të më “akuzojë” se nuk kam qenë në detyrë.
Sepse kush thotë se unë kam munguar, fyen inteligjencën e të gjithë qytetarëve të Tiranës që më kanë besuar tre herë me radhë, pikërisht sepse e panë me sytë e tyre përkushtimin tim, dashurinë time për punën dhe për qytetin.
Punë nga e cila më shkëputën padrejtësisht dhe pabesisht ata që donin të më shihnin me pranga në duar e jo me lopatë në duar; ata që nuk më donin mua në atë zyrë, sepse ajo zyrë ishte bërë simbol i dashurisë për qytetin dhe punën — epiqendër e optimizmit dhe një energjie pozitive të pafundme.
Mund ta burgosësh një njeri, por jo të vërtetën e tij. Dhe e vërteta është se mosprezenca ime nuk ka qenë zgjedhje, por pasojë e një izolimi të imponuar nga shteti, përmes një vendimi disproporcional, nga letra anonime dhe zell persekutues, që më privoi jo vetëm nga liria, por edhe nga qyteti im, përpara se të provohej çdo fajësi.
Si mund të quhet “shkelje” mungesa e një Kryetari Bashkie që është fizikisht i ndaluar nga vetë organet e shtetit, në bazë të një vendimi që nuk është i formës së prerë?
A mos vallë duam të legjitimojmë idenë se çdo funksionar i zgjedhur mund të largohet nga detyra përmes një arrestimi të përkohshëm, pa vendim fajësie, duke i marrë popullit mandatin që ai vetë ia ka dhënë me votë të lirë?
Nëse kjo pranohet, atëherë çdo mandat i zgjedhur nuk është më një garanci e sovranitetit qytetar, por një leje që mund të të hiqet në çdo kohë nga vullneti politik.
Nëse pranohet një gjë e tillë, atëherë parimi i prezumimit të pafajësisë humbet kuptimin, dhe ndëshkimi pa vendim gjyqësor kthehet në praktikë të zakonshme. Kjo do të ishte një rrëshqitje e rrezikshme nga shteti i së drejtës në shtetin e paragjykimit.
Kjo nuk është vetëm një padrejtësi njerëzore, por një kontradiktë e hapur kushtetuese, sepse më ndëshkon për një fakt që nuk është as veprim, as shkelje, por një gjendje e imponuar me forcën disproporcionale të vetë shtetit.
Nëse kjo kthehet në precedent, atëherë çdo qytetar i këtij vendi do të jetojë me frikën se mund të ndëshkohet jo për atë që ka bërë, por për atë që cilido pushtet vendos t’i faturojë apriori.
E nderuar Gjykatë,
Nëse pranohet që një kryebashkiak i zgjedhur me votën e popullit mund të hiqet nga detyra pa vendim të formës së prerë, atëherë nga nesër çdo qytet, çdo bashki dhe çdo mandat popullor mund të bjerë pre e vendimeve politike të momentit.
Në atë çast, zgjedhjet humbin kuptimin, vota humbet peshën dhe sovraniteti qytetar zëvendësohet nga vullneti i atyre që duan të sundojnë në emër të ligjit, por duke e përmbysur vetë ligjin.
Kjo nuk është demokraci.
Kjo është përmbysje e demokracisë.
Ky nuk është prezumim pafajësie, por prezumim fajësie, dhe aty ku pafajësia zëvendësohet nga paragjykimi, drejtësia pushon së ekzistuari.
Unë nuk jam sot këtu për të kërkuar mëshirë apo privilegj. Vij për të kërkuar drejtësi kushtetuese.
Drejtësia është mburoja morale dhe fundore e Republikës, ajo që mbron rregullin që na mban bashkë si shoqëri.
Ajo që e ndan shtetin e drejtë nga shteti i frikës, ligjin nga arbitrariteti dhe Republikën nga çdo formë sundimi.
Në këtë moment vendimtar, Ju nuk jeni thjesht një gjykatë që shqyrton një shkarkim nga detyra të një kryebashkiaku.
Ju jeni — siç e ka përshkruar Alexander Hamilton, një nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara — “trupi ndërmjetës midis popullit dhe pushtetit”, i krijuar për ta mbajtur pushtetin brenda kufijve që i ka caktuar Kushtetuta.
Kur pushteti e tejkalon veten, kur vullneti politik kërkon të zëvendësojë ligjin, vetëm gjykata juaj Kushtetuese ka fuqinë dhe detyrën ta ndalojë.
Vetëm kjo gjykatë mund ta rikthejë shtetin në binarët e Kushtetutës dhe të mbrojë qytetarin nga abuzimi i pushtetit që ai vetë ia ka dhënë.


 
                                    





