Siç duket Kosova përballet me zgjedhjet e parakohshme dhe me hutesën si është e mundur që PDK’së, LDK’së, AAK’së…si dhe alamet opinionistëve të sajë, më shumë t’u pengojë kryetari i VV se sa Vuçiqi dhe shovinizmi serb?!
Mbase Kosova nuk do përballej me këtë situatë perverse, nëse disa nga drejtuesit e saj të deridjeshëm do e dinin se ‘Bota serbe’ nuk shtrihet deri aty ka jetojnë serbë – deri në Mitrovicë, por deri atje ku ka edhe një kishë apo manastir ortodoksë serb – pra deri në Pejë!
Pra Kosova sot nuk do merrej me vetveten sikur ata që deri tani e drejtonin të merreshin me ndërtimin e shtetit e jo me vilat e veta dhe sikur të kishin lexuar ndonjë libër më shumë sa ta dinin se shteti Serb është shtet kishtarë, se ai as që do ekzistonte sikur në vitin 1921 Kisha e Principatës Serbe të mos i ngërthente në vetvete Kishën Ortodokse të Malit të Zi, atë të luginës së Vardarit, manastiret e Kosovës, me çka i vuri kufijtë e shtetit të drejtuar nga një kishë që kurrë nuk do prodhonte fe, por shovinizëm.
Shtet pra i drejtuar nga një kishë që objektet e saja fetare i sheh si bunkerë ku duhet ruajtur armët që në çastin e duhur duhet ndarë besimtarëve?!
Po pra, Kosova sot paguan çmimin e gjithë drejtuesve të deridjeshëm të saj që harruan se të sëmurin nuk mund ta shërosh nëse nuk ia cakton shkaqet e sëmundjes dhe se, përderisa nuk je i aftë të mbrohesh nga ai që të rrezikon – nga Serbia – ti nuk je paqedashës, por i pafuqishëm!
Dhe duke u përballur sot me pafuqinë e vet për t’iu kundërvënë rrezikut të vërtet – shovinizmit kishtar serbë – partitë opozitare të Kosovës dhe opinionistët e saj patriotë, duhej të zbulonin një armik të brendshëm me të cilin do e mbulonin turpin e vet.
Po pra, Kosova sot përballet me të vërtetën se gjatë dy dekadave të shkuara çdo gjë në të u pakësua – përfshi edhe numrin e banorëve – përpos milionerëve që nuk prodhonin asgjë përpos varfërisë si dhe veturave të reja e të shtrenjta që i vozisin fëmijët e politikanëve.
Dhe në një Kosovë të tillë nuk është e çuditshme pse opozitarët kanë planë për ta mbrojtur vendin nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga kryetari i saj, por jo edhe nga hajdutëria e tyre dhe nga shovinizmi serb.
Më në fund, çka mund të presësh më shumë nga ata që në krye të partisë mbahen ose me ndihmën e të arrestuarve në Hagë, ose duke u thirrur në lavdin e liderit të vdekur?!
Thënë shkurt e shqip: Kosova sot ka opozitë të dëmshme për të, sepse ajo ende nuk është çliruar tërësisht nga ata që u pasuruan pa prodhuar gjë, nga ata që u pasuruan duke ia shitur popullit lirinë të cilës ia vunë emrin e vet.








