Lidhur me rastin e kryebashkiakut në detyrë Erion Veliaj, i cili të premten e kaluar u paraqit në Gjykatën Kushtetuese reagoi lideri demokrat Sali Berisha.
Sot Berisha nga kryesia e PD-së në konferencë për mediat, e ka cilësuar thirrjen e Veliajt, si një proces totalitar duke e krahasuar me atë të gjyqit që diktatori Enver Hoxha i ka bërë Kadri Hazbiut.
“E vërteta është se, narkoshteti po shembet. Kjo është sot e vërteta më e madhe se asnjëherë më parë. Dhe kjo shembje është e pandalshme. Struktura kriminale e bazuar mbi drogën dhe krimin e shqiptatëve, që Edi Rama ngriti këto 12 vite në aleancë me kartelet e drogës dhe ekstremin e majtë të udhëhequr nga Xhorxh Sorosi, ka hyrë në një proces dezintegrimi.
E premtja që kaloi është e premtja më e zezë e narkoshtetit të Edi Ramës. Të gjithë ne ishim dëshmitarë me disa pamje të cilat atyre që kanë përjetuar diktaturën totalitare i kujtojnë procesin e Kadri Hazbiut në gjyqin e partisë. Të tilla ishin pamjet e Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese, por në dallim nga Kadri Hazbiu që deklaronte se e kam nga partia ime, Erion Veliaj me guxim krahasoi partinë e tij me FARC-un e Kolumbisë.
Të kuptohemi, nuk kam absolutisht as edhe ndjesinë më minimale, se Erion Veliaj është një person i pafajshëm. Erion Veliaj është një person që mbahet në burg për minimumi për 1/100 e asaj që ka shpërdoruar, për të mos thënë 1/200 e saj. Por dukë thënë këtë, e vërteta e padiskutueshme është se, të drejtat e njeriut u shkelën në mënyrë brutale, u përdor ndaj tij ajo praktikë që Enver Hoxha përdori ndak Kadri Hazbiut, që ishte një kriminel, një vrasës. Dhe në këtë rast, duke shkelur çdo procedurë, çdo ligj i dhanë atij mundësinë të krahasojë FARC-un e Kolumbisë, partinë që në fakt, ai tha një të vërtetë, narkoparti, narkoregjim. Kjo është e vërteta e Shqipërisë”, tha Berisha.








