Gjykata e Shkodrës ka vendosur lirimin nga paraburgimi të katër punonjësve të OSHEE në Malësinë e Madhe, të cilët ishin arrestuar pak ditë më parë, të dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike në tre objekte të kultivuara me kanabis.
Drejtuesi i OSHEE-së në këtë zonë, Gëzim Hoxha, u lirua vetëm pak orë pas arrestimit nga urdhri i prokurorisë.
Tre kolegët e tij – Lodovik Vulaj, Xhuljano Çeraj dhe Adil Selmanaj dolën para Gjykatës së Shkallës së Parë, ku gjykata vendosi për ta masën “detyrim paraqitje”, duke i lënë jashtë paraburgimit, ndryshe nga kërkesa e prokurorisë për “arrest në shtëpi”.
Arrestimet u kryen gjatë operacionit të koduar “Neonët”, që solli edhe ndalimin e dy personave të dyshuar si autorë të kultivimit të kanabisit, Lazër dhe Sandër Pepaj, ndërsa një tjetër, Kristjan Pepaj, u shpall në kërkim.
Në kuadër të këtij operacioni, policia sekuestruar mbi 1.100 bimë kanabis, rreth 1.8 kilogramë lëndë narkotike, si dhe pajisje të ndryshme për kultivim dhe tharje të bimëve në tri objekte në fshatin Hot.
Operacioni është pjesë e planit të masave për goditjen e kultivimit të drogës në mjedise të mbyllura.









