Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ngritur akuza ndaj pesë personave të tjerë në kuadër të hetimit të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, që lidhet me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Të pandehurit Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica akuzohen për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Sipas SPAK, gjatë zhvillimit të procedurës së prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë në segmentin Orikum–Himarë (me fond limit afro 19 miliardë lekë pa TVSH), të pandehurit, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin.
Në kohën e ngjarjeve, Evis Berberi ishte Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi – Drejtor i Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve, Gentian Gjyli – Drejtor i Ndërtimit dhe Mirëmbajtjes, ndërsa Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica ishin specialiste të nivelit të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Hetimet për këtë procedurë janë ende në fazën paraprake.


                                    





