Pas publikimit të Progres Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për vitin 2025, qeveria shqiptare ka reaguar duke e cilësuar dokumentin si një vlerësim të punës dhe përpjekjeve të bëra në rrugën drejt integrimit evropian.
Raporti, i prezantuar nga komisionerja për Zgjerim Marta Kos, thekson se Shqipëria ka shënuar rezultate të dukshme në disa fusha reformash, por paralelisht nënvizohet se mbeten ende sfida për t’u adresuar përpara anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Në reagimin e tij pas publikimit të raportit, kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria “ia doli” dhe se qeveria do të vijojë me përkushtim procesin e reformave për të përmbushur të gjitha kriteret e BE-së.
“Po, ia dolëm! Dhe do të bëjmë gjithçka që duhet për t’u ulur më në fund si të barabartë në tryezën e BE-së. Le të vazhdojmë përpara, me ritëm, së bashku.”
Nga ana e saj, komisionerja Marta Kos theksoi se Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm në procesin e integrimit, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme për vendin.
“Shqipëria ka bërë përparim të paprecedentë. Ky rezultat i jashtëzakonshëm është një njohje e qartë e angazhimit të fortë politik të Shqipërisë dhe e aspiratave të qarta europiane të shoqërisë së saj.”









