Në dosjen e SPAK për aferën e tunelit të Llogarasë dalin në dritë biseda mes zv.kryeministres Belinda Balluku, vartësit të saj Evis Berberi dhe deputetit të Partisë Demokratike, Arbi Agalliu.
Sipas dokumenteve, Balluku i ka kërkuar Berberit që ta presë Agalliun “me dashuri dhe respekt” pasi “është djalë qytetar”.
Deputeti i PD-së i ishte drejtuar ministres për të sqaruar dy çështje tokash në Vlorë, një në bypass dhe një në hyrje të autostradës, ndërsa komunikimi është zhvilluar përmes aplikacionit Signal në janar dhe shkurt 2022.
Pjesë nga dosja më poshtë tregojnë mënyrën se si u organizua takimi dhe komunikimi mes zv.kryeministres, vartësit të saj dhe deputetit demokrat:
Nga akti i ekspertimit nr.195, datë 26.09.2024, të aparatit celular “Blackberry”, model BBF10-6”, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, nga nxjerrja e të dhënave teknike kompjuterike që përmban ky aparat celular, kanë rezultuar komunikime midis shtetasit Evis Berberi dhe shtetasve Belinda Balluku dhe Arbi Agalliu, si më poshtë:
• Më datë 27.01.2022, në orën 18:50, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin:
“Do të të marr për një takim Arber Agalliu, dep i PD që ka një dy pyetje për dy toka që ka në Vlorë, një tek bypass dhe një në hyrje të autostradës. Qëndrimi shumë i dashur, shumë i mirë se është djalë qytetar.”
Në orën 18:51, Evis Berberi i përgjigjet:
“Patjetër. E kemi patriot.”
Në orën 18:52, Belinda Balluku:
“Por ne nuk kemi ça bëjmë, te marrim lejen e ndërtimit nga bashkia, atëherë shprehemi.”
Në orën 18:52, Evis Berberi:
“Ok. Ne japim mendim pasi ka marrë leje.”
• Më datë 31.01.2022, në orën 19:19, shtetasi Arbi Agalliu i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin:
“Evisi si je? Arbi Agalliu jam! Shpresoj se je mirë. Belinda më dha nr. tënd. Kur të kesh mundësi doja të flisnim pak. Faleminderit.”
Në orën 19:20, Evis Berberi:
“Mirë, faleminderit. Kur të jemi në mbledhje më njofto.”
Në orën 19:20, shtetasi Evis Berberi telefonon shtetasin Arbi Agalliu.
• Më datë 01.02.2022, në orën 08:35, shtetasi Arbi Agalliu i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin:
“Mirëmëngjes! Unë për pak jam aty. Jam në trafik poshtë digës.”
Në orën 08:35, Evis Berberi:
“Pa prob.”
• Më datë 01.02.2022, në orën 09:19, shtetasi Evis Berberi i dërgon shtetases Belinda Balluku mesazhin:
“Sa përcolla Agalliun.”









