Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani u shpreh në emisionin “Trialog” se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Veliajn nuk ka lidhje dhe nuk ndikon aspak hetimet e SPAK-ut.
I pyetur nga moderatorja Alba Alishani nëse vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese për rastin e Erion Veliajt mund të jetë një indikator i drejtpërdrejtë për të ndryshuar masën e sigurisë ndaj tij, Dumani tha se ky vendim nuk ka asnjë lidhje me çështjen që SPAK po ndjek penalisht.
“Gjykata Kushtetuese ka pasur objekt tjetër për shqyrtim vendimin për shkarkimin dhe dekretin e presidentit. Nuk ka asnjë lidhje me çështjen që po ndjekim penalisht dhe nuk ka asnjë ndikim në hetimet tona apo edhe në masën e sigurisë që rëndon ndaj z. Veliaj. Nuk dua të futem në detaje është gjykata ajo që vendos që nëse vazhdojnë të ekzistojnë kriteret e caktimit të masës së sigurisë, kritere që përcaktohen nga Kodt i Procedurës Penale”, deklaroi Dumani.
Më herët ai theksoi se SPAK nuk ndjek axhenda politike në ndjekjen penale apo hetimin e zyrtarëve të lartë.








