Detaje të reja nga dosja e SPAK për tunelin e Llogarasë zbulojnë komunikime mes zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi.
Përgjimet, të përftuara nga një celular tip “Blackberry” që Berberi mbante në banesë, tregojnë se në fillim të vitit 2022, në zyrat e qeverisë janë zhvilluar biseda edhe për çështje të ngritura nga ish-deputeti demokrat Arbi Agalliu, i cili, sipas dosjes, kërkonte informacion për disa prona në Vlorë.
Pjesë nga dosja më poshtë:
Nga akti i ekspertimit nr.195, datë 26.09.2024, të aparatit celular “Blackberry”, model BBF10-6”, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, nga nxjerrja e të dhënave teknike kompjuterike që përmban ky aparat celular, kanë rezultuar komunikime midis shtetasit Evis Berberi dhe shtetasve Belinda Balluku dhe Arbi Agalliu, si më poshtë:
• Më datë 27.01.2022, në orën 18:50, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin:
“Do të të marr për një takim Arber Agalliu, dep i PD që ka një dy pyetje për dy toka që ka në Vlorë, një tek bypass dhe një në hyrje të autostradës. Qëndrimi shumë i dashur, shumë i mirë se është djalë qytetar.”
Në orën 18:51, Evis Berberi i përgjigjet:
“Patjetër. E kemi patriot.”
Në orën 18:52, Belinda Balluku:
“Por ne nuk kemi ça bëjmë, te marrim lejen e ndërtimit nga bashkia, atëherë shprehemi.”
Në orën 18:52, Evis Berberi:
“Ok. Ne japim mendim pasi ka marrë leje.”
• Më datë 31.01.2022, në orën 19:19, shtetasi Arbi Agalliu i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin:
“Evisi si je? Arbi Agalliu jam! Shpresoj se je mirë. Belinda më dha nr. tënd. Kur të kesh mundësi doja të flisnim pak. Faleminderit.”









