Kuvendi do të zhvillojë sot seancën plenare të radhës, e cila nis në orën 10:00. Në axhendë janë parashikuar raportimet vjetore të disa institucioneve, projektligji për barazinë gjinore, si dhe votimi për anëtarët e Komisionit Rregullator në KQZ.
Në seancën e kaluar, zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së dështoi pasi opozita braktisi sallën në shenjë proteste, pas rrëzimit të kërkesës për ngritjen e komisioneve hetimore për çështjen “McGonigal” dhe zgjedhjet e 11 majit.
Projektligji për barazinë gjinore pritet të ngjallë sërish debate, pasi Partia Socialiste ka propozuar 22 amendamente që kufizojnë konceptin e gjinisë vetëm në “burrë” dhe “grua”, duke hequr termat “gjithëpërfshirës” dhe “diversitet gjinor”.
Në rend dite janë gjithashtu aktet normative për ndryshimet në buxhetin 2025 dhe për “Planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Raportime do të japin edhe disa institucione, përfshirë Kontrollin e Lartë të Shtetit, Departamentin e Administratës Publike, Komisionin e Prokurimit Publik dhe Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit.
Pritet që në seancë të mos mungojnë diskutimet për zhvillimet e fundit pas shpalljes si të pandehur nga SPAK të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për akuzat e ngritura në tenderin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë.








