Deputeti i Partisë Mundësia Agron Shehaj, ka ngritur akuza të forta ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, duke e akuzuar atë për përfshirje në një aferë korrupsioni, lidhur me tenderin e Tunelit të Llogarasë.
Shehaj theksoi se parlamenti po e shmang këtë çështje serioze, duke e zëvendësuar me diskutime të tjera, ndërkohë që, sipas tij, ka fakte të forta që e implikojnë Ballukun në manipulime me tenderët.
“Berberi i shkruan me mesazh Ballukut, i thotë ‘hapëm ofertat e tunelit të Llogarasë’. Balluku, pasi merr vesh ofertat, thotë që ka hyrë skandal, por nuk plotëson kushtet. 30 minuta pas marrjes së ofertave, i thotë ‘sa ditë do lëmë’, i thotë Berberi.”
Ai vijoi me një tjetër detaj të bisedës, ku Balluku sipas tij është shprehur për të pasur ndikim në shpalljen e fituesit: “Ditën që nxjerrin fituesin, Berberi i shkruan, se po nxjerr fituesin. Balluku i thotë ‘prit, ti çoj fjalën atij shefit… të saj që kërcënon me SMS. Nuk po e them fjalën që zv kryeministrja përdor për shefin e saj’.”
Shehaj e mbylli deklaratën e tij duke theksuar se këto nuk janë thashetheme, por fakte të provuara dhe kërkoi që parlamenti të merret me këtë çështje serioze dhe të zbardhë çdo shkelje të mundshme: “Është e zezë mbi të bardhë. Nuk janë thashetheme, janë fakte. Tani që kanë dalë këto fakte, parlamenti nuk flet, por flet për barazinë gjinore. Nuk flitet për thelbin, po na vjedhin,” tha Shehaj.









