Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeko është përfshirë në një shkelje të rëndë ligjore përbrenda institucionit që drejton aktualisht. Më 08 korrik, U.D i ministrit kishte caktuar Imer Hakajn në krye të Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ia ka rrëzuar këtë vendim dhe e ka detyruar tash kandidatin për Prishtinë që ta zbatojë brenda 15 ditësh konstatimin e vet.
Ishte korriku i këtij viti, kur Imer Hakaj u transferua nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, në krye të Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale(AMMKM). Emërimi i Hakajt si U.D i Drejtorit aty u bë me një vendim të Ministrit në Detyrë, Hajrulla Çeko. Por, ky i fundit konsumoi shkelje të fortë të ligjit. Injoroi zyrtarët që do të duhej të caktoheshin në këtë pozitë dhe e emëroi “të preferuarin e tij”.
“Duke marrë për bazë se organi përkatës i punësimit ka strukturën e vet organizative, rrjedhimisht ka dy (2) pozita të kategorisë së mesme drejtuese brenda njësisë së vetë organizative, ku në mesin e tyre përfshihet edhe pozita e ankuesit, ajo e Drejtorit të Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme, dhe në kuptim të nenit 35 paragrafit 2 të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik, në vlerësimin e Kolegjit të Këshillit, në pozitën e Drejtorit të AMMKM-së, duhej të caktohej zyrtarja/i më i lartë i kategorisë pasuese nga kjo agjenci gjegjësisht do duhej të shfrytëzohen të gjitha mundësitë e brendshme për arritjen e këtij qëllimi, detyrimisht do duhej që pozitën e lire te Drejtorit të AMMKM-së, ta mbulonte me njërin nga zyrtarët publik që është me akt emërim ne pozitën e Drejtorit të Departamentit brenda agjencisë përkatëse”, thuhet në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.








