Kryeministri Edi Rama komentoi sot zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit që do të zhvillohen në 5 bashki, ndërsa u shpreh se halli i Partisë Demokratike tani është kujt t’ja lërë humbjen në derë.
Në podkastin “Flasim” ku të ftuar ishin kandidatët e Partisë Socialiste për kryetarë bashkie në Vlorë, Berat, Mat, Cërrik dhe Tepelenë, Rama foli për kandidatët e pavarur të mbështetur nga opozita.
“Ky është hall shumë i madh sepse një parti që ka siklet t’i vërë fytyrën e vetë një sfide dhe përdor fytyrat e të tjerëve, ndërkohë këta që ja japin fytyrën borxh asaj partie dhe bëjnë sikur janë të pavarur por edhe këta bëjnë sikur e mbështesin por se duan. Ky është hall i madh”, tha Rama.
Në bashkinë e Vlorës, Partia Socialiste ka propozuar Brunilda Mersinin, ndërsa Partia Demokratike ka vendosur të mbështesë kandidatin e pavarur Dionis Sota. Në Berat, Partia Socialiste garon me Ervin Cecën, ndërsa opozita mbështet kandidatin e pavarur Pavlo Shkarpa.
Në Cërrik, Amarildo Hoxha garon si kandidat i pavarur me mbështetjen e opozitës, ndërsa Eligert Hima do të garojë gjithashtu si i pavarur nën siglën e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”. Socialistët kanë propozuar kandidatin Florenc Doka.








