Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të biznesmenit Behgjet Pacolli në lidhje me ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, ku sipas tij, ai konfirmon një tjetër aferë korruptive të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Bardhi shkruan se Balluku jo vetëm ka paracaktuar fituesin e koncesionit për ndërtimin e aeroportit, por ka përcaktuar edhe nënkontraktorët që do të kryenin punimet për ndërtimin e strukturave të aeroportit.
Deputeti demokrat shton se në takimin ku është diskutuar kjo çështje, i zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë, ka qenë i pranishëm edhe vetë kryeministri Edi Rama.
“Në këtë takim të zhvilluar në kryeministri, ka qenë i pranishëm edhe Edi Rama, i cili jo vetëm ishte në dijeni të aferave të zëvëndëses së tij, por edhe i miratonte ato plotësisht”, shkruan Bardhi.
Bardhi i kërkon SPAK që të nisë menjëherë hetimet mbi ndërtimin e Aeroportit të Vlorës dhe dëshmia e biznesmenit Pacolli duhet të shërbejë si provë.








