Kryeministri hungarez, Viktor Orban, deklaroi se shteti i tij ka përfituar përjashtim nga sanksionet amerikane sa i përket blerjes së energjisë ruse. Këto deklarata ai i bëri pas bisedimeve që zhvilloi me presidentin amerikan, Donald Trump, në mes të një bllokimi të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Ne kemi marrë një përjashtim të plotë nga sanksionet për gazsjellësit TurkStream dhe Druzhba”, tha Orban në një konferencë për media pas takimit të tij me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë më 8 nëntor.
Lidhur me këtë ende nuk kanë reaguar zyrtarët amerikanë. Megjithatë, më herët Trump tha se do ta shqyrtonte një gjë të tillë, duke pranuar se Hungaria ka opsione të kufizuara sa i përket importit të energjisë.
“Po e shikojmë këtë sepse është shumë e vështirë për të që të sigurojë naftë dhe gaz nga zona të tjera”, tha Trump teksa e mirëpriti aleatin e tij të kamotshëm, Orban.
Orban, që shpesh ka kritikuar Evropën për atë që e cilëson si qëndrim të ashpër ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, tha se energjia ruse është “jetike” për Hungarinë.
Ai shtoi se pozita gjeografike e Hungarisë e kufizon shtetin dhe e detyron që të blejë naftë ruse përmes naftësjellësit Druzhba, që kalon nëpër territorin e Ukrainës.
Ndërprerja e qasjes do të kishte pasoja të rënda për hungarezët, tha Orban, duke shtuar se çështja nuk ka të bëjë me politikën.
“Është një realitet fizik sepse ne nuk kemi port”, tha ai.
Gjatë takimit, Trump kritikoi shtetet e tjera evropiane për blerjen e energjisë ruse, duke sugjeruar se ato janë në një pozicion më të mirë se Hungaria, e cila në lindje kufizohet me Ukrainën e shkatërruar nga lufta.
“Shumë nga ato shtete nuk i kanë ato probleme dhe blejnë sasi të mëdha nafte e gazi nga Rusia”, tha ai.
Para vizitës së parë të Orbanit në Shtëpinë e Bardhë pas disa vjetësh, dy udhëheqësit, që për një kohë të gjatë i bashkon ideologjia, u gjendën në anë të kundërta të politikës sa i përket importeve të naftës ruse.
Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi, pasi zhgënjimi i Trumpit u rrit për shkak të refuzimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës.
Shërbimi hungarez i Radios Evropa e Lirë raportoi se bisedat me burime në Qeverinë hungareze sugjeruan se ata besonin se një marrëveshje për përjashtim nga sanksionet ishte e mundshme, duke ndjekur një precedent tjetër evropian – vendimin për të përjashtuar përkohësisht nga sanksionet degën gjermane të kompanisë Rosneft./REL








