Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është përfshirë në një debat publik këtë të diel, pasi ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale gjatë ditës së votimit, ku u bënte thirrje qytetarëve të pesë bashkive të vendit që të mbështesin kandidatët socialistë në zgjedhjet e pjesshme lokale.
Në postimin e tij, Balla përmendte programin e mazhorancës për rritjen e pagave e pensioneve, si dhe objektivin për integrimin në Bashkimin Evropian, duke ftuar qytetarët e Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit dhe Tepelenës të “dalin masivisht në votime për kandidatët tanë”.
Ky veprim është cilësuar si shkelje e heshtjes zgjedhore, pasi ligji ndalon çdo thirrje me përmbajtje elektorale në ditën e votimit.
Menjëherë pas publikimit të mesazhit, Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, reagoi publikisht duke kujtuar se fushata mbyllet 24 orë para hapjes së kutive dhe se çdo komunikim politik gjatë ditës së zgjedhjeve është i ndaluar.
“Gjatë ditës së votimit, lejohet vetëm thirrja për pjesëmarrje qytetare, jo për votim të kandidatëve apo partive. Shpresoj që kjo rikujtesë të merret seriozisht,” deklaroi Celibashi, duke theksuar se procesi po zhvillohet normalisht në të gjitha qendrat.
Ekspertë të procesit zgjedhor e kanë cilësuar postimin e Ballës si veprim që mund të cënojë integritetin e procesit dhe si shembull që tregon nevojën për respektim më të rreptë të rregullave zgjedhore nga zyrtarët publikë.









