Kryetari i PD-së, Sali Berisha është përjashtuar 10 ditë nga parlamenti me vendim të shumicës socialiste në Sekretariatin e Etikës me argumentin se fyeu dhe përdori gjuhë të papërshtatshme ndaj ambasadorit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.
“Sekretariati i Etikës ka vendosur të përjashtojë për 10 ditë ish-kryeministrin Sali Berisha nga punimet e Kuvendit, pas kërkesës së një grupi deputetësh të Partisë Socialiste.
Masa disiplinore u mor për shkak të deklaratave të Berishës ndaj ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato” thuhet në vendim.
Çfarë tha Berisha?
Pasi shprehu kundërshti për projektligjin për barazinë gjinore, Berisha shigjetoi diplomatin e BE-së, duke thënë se nuk mund t’i imponojë shoqërisë bindjen e tij personale.
“Zotëri ne respektojmë orientimin seksual të të gjithëve. Përpjekjet tuaja për t’u imponuar standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, përveç asaj binare. Edhe në statusin tënd ti je binar.
Nuk merremi ne me trajtime. Ka fëmijë, ka pasur grua, ka marrë vendimet e veta mbrapa siç ka shpjeguar jetën e tij personale. Cila direktivë e BE bën fjalë për “përkatësi të shumëfishtë gjinore?”, – tha Berisha.
Reagimet
Pas kësaj deklarate reagoi Komisionerja për Zgjerim e BE, Marta Kos. “Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë përbërëse e ligjit të Bashkimit Europian. Përafrimi me to është pjesë e procesit të anëtarësimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë personale e Ambasadorit të ambasadorit të BE në Shqipëri. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm” – shkroi Kos në X.
Edi Rama kërkoi falje
“Kërkojmë ndjesë për mënyrën fyese se si një ligj shumë fisnik, plotësisht në përputhje me parimet e BE-së për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin, është keqpërdorur për të shtrembëruar perceptimin publik, si dhe për mënyrën se si Ambasadori i BE-së është shfrytëzuar për një qëllim kaq të ulët. Megjithatë, siç themi në shqip, le të lehin qentë, karvani ecën përpara”, – shkroi Rama në X.
Sqarimi i Berishës
“Nuk mund ta fyeja unë atë (ambasadorin), e thashë këtu, përkundrazi, e vetmja gjë që kërkova është të na tregojë cilën direktivë. Dhe nuk e kërkova kot sepse unë para se të vij kam kërkuar nga ekspertë, nga njohës të të drejtës evropiane, dhe ata më kanë garantuar, siç e thashë, se nuk ekziston asnjë direktivë e BE për largimin nga binariteti dhe adaptimin e identiteteve me spektër të ndryshëm dhe me përkatësi të shumëfishtë. Pse e quajta binar? Asnjë diskriminim, përkundrazi thashë binar. Dhe binar nuk mund të jetë fyerje kurrë” – tha Berisha.








