Gjatë një seance të Komisionit të Ekonomisë, përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë u përgjigjën pyetjeve të ngritura nga deputetët e mazhorancës, pas mungesës së opozitës. Deputeti socialist Erion Braçe e drejtoi vëmendjen te struktura e ekonomisë, e cila sipas tij ka pasur një ndryshim të theksuar, duke kaluar nga sektori i bujqësisë dhe industrisë te ndërtimi dhe shërbimet.
Braçe shprehu shqetësimin se kjo ndarje ka sjellë një rënie të thellë në sektorët që kanë një ndikim të madh në punësim, si bujqësia dhe industria, dhe kërkoi që në projektbuxhet të adresohen politika që mund të ndihmojnë në rikthimin e rritjes së këtyre sektorëve.
“Në relacionin e projektbuxhetit nuk shihet ndonjë politikë ndryshe, që minimalisht të ndalë rënien e fortë edhe të thellë në dy sektorë të tjerë shumë të rëndësishëm të ekonomisë kombëtare, që kanë edhe punësim të gjerë, praktikisht tek industria dhe bujqësia. Mendoni që do duhet që në projektbuxhet të adresohen politika që tani, veçanërisht në këto dy sektorë që prej një seri tremujorësh janë me rënie të fortë dhe të thellë”, pyeti deputeti socialist Erion Braçe.
“Të ardhurat nga turizmi pritet të vijojnë të rriten edhe në vitin 2026 por është e qartë se rritja eksponenciale që ky sektor ka pasur në dy, tre vitet e shkuara, ka pak gjasa që të vijojë edhe në të ardhmen. Pra duhet pranuar që edhe sektori i turizmit, të paktën në terma të të ardhurave totale që siguron për ekonominë shqiptare, do të jetë një rritje më e ngadaltë gjatë viteve të ardhshme. Gjithashtu dua të shtoj dhe diçka, është e vërtetë që ne kemi pasur një rritje të shpejtë të të ardhurave të turizmit, por gjithashtu kemi pasur një rritje e faturës së importeve të lidhur me turizmin. Pra, një pjesë e madhe e shpenzimeve të turistëve këtu, shkojnë për shpenzime për import. Kjo duhet parë si një mundësi për ekonominë shqiptare, pra, fakti që vlera e shtuar e në ekonominë shqiptare duhet të rritet më tej nëpërmjet integrimit të zinxhirëve prodhues në furnizimin e konsumit të turizmit, dhe këtu ka patjetër më shumë për t’u bërë, qoftë në termat e industrisë agro-përpunuese, qoftë edhe në termat e industrisë së shërbimit të kateringut të turizmit”, tha Themeli.








