Elvis Shkambi, autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ka dërguar një letër nga burgu ku po vuan dënimin, duke shprehur keqardhje dhe pendesë për krimin e kryer më 6 tetor.
Në mesazhin e tij, Shkambi i kërkon falje familjes së gjyqtarit dhe në veçanti tre fëmijëve të tij. “Ndjej keqardhje të madhe për dhimbjen që kam shkaktuar… për fëmijët e tij, për të cilët besoj ai ka qenë njeriu më i mirë në botë,” shkruan ai ndër të tjera.
Ai shton se ndien dhimbje edhe për familjen e vet dhe njerëzit e afërt, duke pranuar se i ka tronditur dhe zhgënjyer me veprimet e tij.
Megjithatë, Shkambi vijon të mbrojë qëndrimin se vendimi i gjykatës në çështjen e pronësisë ishte i padrejtë, duke e cilësuar si “një vendim skandaloz” që e shtyu në një reagim “të palogjikshëm”.
Gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje brenda sallës së Gjykatës së Apelit më 6 tetor, menjëherë pas shpalljes së vendimit për çështjen ku Shkambi ishte palë.
Autori akuzohet për “vrasje të funksionarit publik”, “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “mbajtje pa leje të armëve”.








