-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Partia e Lirisë kundër ligjit për barazinë gjinore: Cënon familjen

Kryesoret

Zëvendëskryetarja e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, ka reaguar ndaj projektligjit “Për barazinë gjinore”, duke e cilësuar atë si një nismë që, sipas saj, nuk synon mbrojtjen e grave apo barazinë e mundësive, por përbën rrezik për familjen shqiptare dhe vlerat tradicionale të shoqërisë.

Në një deklaratë për media, Haxhiu akuzoi qeverinë se po imponon koncepte ideologjike që bien ndesh me identitetin kombëtar dhe me rendin shoqëror, në një kohë kur vendi po përballet me shpopullim, plakje të popullsisë dhe rënie të lindshmërisë.

Deklarata për media:

Përshëndetje!

Projektligjit “Për barazinë gjinore”, nuk synon mbrojtjen e grave apo barazinë e mundësive të grave, por cënon drejtpërdrejt themelet e familjes shqiptare, moralin shoqëror dhe sovranitetin kulturor të vendit tonë.
Ndërsa Shqipëria po përballet me shpopullim masiv, plakje të popullsisë dhe rënie dramatike të lindshmërisë, qeveria nuk sjell politika që mbështesin familjen dhe të rinjtë, por përkundrazi urdhëron votimin e ligjeve që e dobësojnë familjen. Partia socialiste po e thellon edhe më tepër krizën demografike që rrezikon vetë ripërtëritjen e kombit shqiptar .
Qeveria  në vend që të ofrojë mbështetje reale për familjet e reja përmes politikave të strehimit, lehtësive fiskale, përmirësimit të arsimit dhe shëndetësisë apo zbutjes së varfërisë, përpiqet të imponojë koncepte ideologjike  që bien ndesh me identitetin tonë kombëtar dhe me vlerat tradicionale mbi të cilat është ndërtuar shoqëria shqiptare.
Përkufizimi i gjinisë si “konstrukt social”, futja e termave si “identitet gjinor” dhe “shprehje gjinore”, si dhe përfshirja e edukimit gjinor në shkolla, përbëjnë ndërhyrje të papranueshme në sistemin arsimor dhe në të drejtën kushtetuese të prindërve për të edukuar fëmijët  e tyre. Po ashtu, dispozitat që mundësojnë zëvendësimin e koncepteve biologjike të burrit dhe gruas, rrezikojnë të hapin rrugën për interpretime që bien ndesh me Kodin e Familjes dhe me parimet themelore të rendit shoqëror.
Shqiptarët po ikin cdo ditë. Cdo ditë ikin të rinjtë.  Lindjet janë në nivelin më të ulët që nga vitet ’30. Ndërkohë qeveria nuk sjell politika për nxitjen e lindshmërisë, për ndihmën e familjeve të reja, për subvencionimin e çerdheve apo për strehim të përballueshëm. Qeveria sjell ligje që e sulmojnë vetë familjen dhe përpiqen ta zëvendësojnë atë me nocione të paqarta, që i shërbejnë axhendave sorosiane.
Pse nuk flasim për ndihmën ekonomike për nënat e reja?
Pse nuk flasim për uljen e kostove të jetesës, për sigurimin e një shtëpie për çdo familje të re?
Pse nuk flasim për mbështetje për fëmijët me aftësi të kufizuara, për arsimin cilësor dhe për kujdesin shëndetësor falas për nënat dhe fëmijët?
Sepse kjo qeveri nuk ka prioritet shqiptarët, por projektet që i vijnë nga jashtë, me fonde që pasurojnë xhepat e tyre. Ky ligj nuk është për barazi, por për nënshtrim ndaj axhendave që duan të zhbëjnë dallimet natyrore mes burrit dhe gruas, për të shkatërruar themelet e familjes shqiptare.
Partia e Lirisë kundërshton çdo përpjekje për të zëvendësuar barazinë reale të mundësive midis burrit dhe gruas me barazi artificiale e cila përdoret për të imponuar diversitet të detyruar në çdo fushë të jetës shoqërore.
Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për politika që mbrojnë familjen, nxisin lindshmërinë, mbështesin prindërit dhe forcojnë unitetin shoqëror, jo për eksperimente ideologjike që prodhojnë ndasi, konfuzion dhe cënojnë identitetin kombëtar.
Partia e Lirisë do të qëndrojë fort kundër çdo ligji që synon të shkatërrojë themelet morale e shoqërore të kombit shqiptar dhe do të kërkojë rishikimin e çdo neni që cënon familjen, sovranitetin dhe të drejtën e prindërve për edukimin e fëmijëve të tyre.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit