Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që Wesley Clark të fillojë dëshminë të hënën e 17 nëntorit, duke filluar nga ora 12:00.
Kjo u pranua nga trupi gjykues në këtë rast gjyqësor dhe vendosi që seanca shtesë e planifikuar për 21 nëntor të anulohet, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndryshe, dëshmia e gjeneralit Clark pritet të zgjasë deri të mërkurën më 19 nëntor 2025, e që pas saj do të mbahet edhe një konferencë për ecurinë e çështjes.
Për këtë, nuk pati kundërshtime nga palët në procedurë. Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.








