Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një ankim në Gjykatën Kushtetuese, pas refuzimit të mazhorancës për ngritjen e dy komisioneve hetimore. Sipas PD-së, vendimet e Kuvendit cenojnë të drejtën kushtetuese të opozitës për kontroll parlamentar dhe e bëjnë rolin e deputetëve formal e jo funksional.
“Ne deputetët e pakicës parlamentare jemi të vendosur për të qëndruar të angazhuar në proceset demokratike brenda sistemit institucional, por nuk do të pajtohemi kurrë me asgjësimin e parlamentarizimit apo mohimin e të drejtave tona kushtetuese… Këtë realitet të rremë mund dhe duhet ta korrigjojë sistemi i garancive kushtetuese institucionale ku rolin kyç e ka Gjykata Kushtetuese,” theksohet në kërkesën e 38 deputetëve.
PD kërkon që Gjykata të prishë vendimet e Kuvendit dhe të sigurojë funksionimin e plotë të kontrollit parlamentar nga opozita, duke e vlerësuar këtë si një hap të domosdoshëm për mbrojtjen e interesit publik dhe standardeve demokratike.








