Sot u zhvillua në Romë samiti i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri. Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ka njoftuar se nga 16 marrëveshjet që pritet të firmosen sot, më 13 nëntor, 8 prej tyre janë në fushën e mbrojtjes. Vengu tha se një nga marrëveshjet më të rëndësishme është rinovimi i partneritetit ushtarak mes Shqipërisë dhe Italisë, pas tre dekadash.
Por gjithashtu, janë nënshkruar dy marrëveshje mes kompanive shtetërore shqiptare KAJO dhe gjigandit italian Fincantieri, për prodhimin e anijeve ushtarake në Pashaliman, si dhe një marrëveshje tjetër me kompaninë italiane Leonardo, e specializuar në teknologji ushtarake dhe mbrojtje kibernetike.
“Pikësëpari kemi marrëveshjen e parë, pas tre dekadash tashmë, hera e parë që rinovojmë partneritetin ushtarak me Italinë, për arsye të NATO-s dhe për shumë arsye të tjera.
Kemi dy marrëveshje që nënshkruhen mes dy kompanive shtetërore KAJO dhe gjigandit italian Fincantieri, për prodhimin e anijeve ushtarake dhe jo vetëm, në Pashaliman, dhe kjo është një arritje domethënëse e mbledhjes së dy qeverive.
Një marrëveshje tjetër mes KAJO-s dhe një tjetër kompanie italiane, Leonardo, e specializuar në teknologji ushtarake dhe mbrojtjen kibernetike, me një fokus të veçantë kësaj radhe edhe në tryezën e dy kryeministrave.”, deklaroi ministri Vengu.








