Nëntori njihet si muaji kuqezi, muaji i festave kombëtare dhe i shqiptarëve kudo në botë. Këtë vit, ai merr edhe më shumë emocion, pasi për herë të parë në histori si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, sigurojnë vendin në fazën “play-off” të Botërorit.
Në reagimin zyrtar të FSHF-së thuhet:
“Një ditë e madhe për futbollin shqiptar!
FSHF përshëndet me gëzim dhe emocion të veçantë arritjen historike të Kosovës, që për herë të parë siguron vendin në PLAY-OFF të një Botërori. Kjo sigurisht është një fitore që e ndjen çdo shqiptar, kudo që jeton dhe, ashtu siç theksoi edhe Presidenti Armand Duka, është një moment i dyfishtë krenarie për kombin tonë.
Urime Federatës së Futbollit të Kosovës dhe gjithë ekipit drejtues për këtë sukses të jashtëzakonshëm!
Le të vazhdojmë të ëndërrojmë bashkë dhe të shkruajmë histori në futbollin shqiptar!”
Ky është pa dyshim një prej momenteve më të rëndësishme dhe simbolike në historinë e futbollit shqiptar, teksa dy kombëtaret tona ecin krah për krah drejt ëndrrës së madhe botërore.








