Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq Hekuran Gjonin për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, pas hetimeve për ngjarjen e 1 shkurtit 2025.
Sipas aktakuzës, Gjoni debatoi me djalin e tij, Asim Gjoni, dhe gjatë konfliktit e goditi me mjet prerës, duke i shkaktuar vdekjen.
Hetimet tregojnë se konflikti nisi gjatë një vakti, kur babai u acarua pas një përplasjeje me të birin dhe intervenimin e vajzës së familjes.
Autopsia konfirmoi plagë të rënda prerëse që shkaktuan shok traumatik hemoragjik si shkak të vdekjes.
Prokuroria thekson se janë konsumuar elementët e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, dhe çështja do të procedohet në gjykatë.








