Wesley Clark, gjeneral i pensionuar amerikan, dëshmon në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë. Clark udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999. Gjyqi ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit po shkon drejt përfundimit. Që të gjithë i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Avokati i Thaçit, Misetiq po e pyet Clarkun se sa shumë dinte ai në verën dhe vjeshtën e 1998-tës për strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Clark theksoi se “nuk kishte shumë informacione, nuk kishte shumë gjëra për të folur për sa i takon komandës”.
“Më sa dinim ne bëhej fjalë për grupe lokale, që ishin krijuar pak a shumë si përgjigje ndaj shtypjes serbe ndër vite. Në veçanti, pas vrasjes së familjes Jashari, u krijua në alarmi i përgjithshëm dhe për këtë arsye njerëzit gjithnjë e më tepër po i formonin këto grupe lokale. Kaq dinim ne”, tha ai. Ai tha se asokohe “unë sigurisht mora më shumë informata lidhur me UÇK-në nga serbët, sesa nga forcat tona”.
“Serbët kishin pika në identifikuar në hartë, të cilat i identifikonin si të ashtuquajtura pika terroriste. Ata po mundoheshin të grumbullonin informacione në to, por shumica e njerëzve në këto grupe kishin shtëpi dhe familje. Ata mundoheshin ta jetonin jetën e tyre dhe ta mbronin familjen dhe veten”, dëshmoi Clark.








