Ditën e sotme në orën 18:00 do të mbahet protesta e koalicionit opozitar përpara godinës së qeverisë.
Ky njoftim ka ardhur nga kreu i PD-së Sali Berisha pasi këtij të fundit pak ditë më parë strukturat drejtuese të PD i kërkuan të zhvillohet një protestë madhështore.
Pas kësaj, zv.presidentja e PL Erisa Xhixho e ka mbështetur thirrjen e Berishës ku dhe ajo kërkoi që qytetarët të mblidhen masivisht dhe të reagojnë nga sheshi kundër këtij regjimi.
“Sot në orën 18:00, bashkohemi të gjithë në protestë përballë Kryeministrisë! Sepse familjet dhe fëmijët e këtij vendi meritojnë politika që i mbrojnë, jo ligje të hartuara pa transparencë, pa konsultim dhe në kundërshtim me vlerat e shoqërisë shqiptare.
Sepse ekonomia e familjeve shqiptare po rrënohet përditë nga rritja e kostove bazë të jetesës, ndërsa qeveria vazhdon me abuzimet, aferat klienteliste dhe premtimet e pambajtura.
Sepse demokracia është nën sulm: institucionet janë kapur, zëri i qytetarëve shpërfillet dhe vendi drejtohet përmes arbitraritetit, jo përmes ligjit dhe llogaridhënies.
Të ngremë zërin bashkë! Shqipëria ka qytetarë të ndershëm, punëtorë dhe patriotë që nuk pranojnë të heshtin përballë padrejtësive. Të gjithë bashkë, sot në ora 18:00 protestojmë për familjen, për ekonominë, për demokracinë!”, u shpreh Xhixho.









