Seanca e thirrur për të mërkurën paradite, një nga dy seancat e ditës, nisi me vonesë dhe me mungesë të madhe deputetësh.
Të pranishëm në sallë ishin vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe disa deputetë nga pakicat joserbe.
Por, partitë e tjera të mëdha shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, e bojkotuan seancën siç kishin paralajmëruar.
Përfaqësuesit e tyre thanë se seanca është “e paligjshme dhe jokushtetuese”.
Në seancë parashihej të hidheshin në votim marrëveshjet ndërkombëtare, buxheti vjetor i shtetit për vitin 2026, buxheti për tri komuna dhe për Radio Televizionin e Kosovës.
Kurti tha se, nëse marrëveshjet ndërkombëtare nuk votohen sot, Kosova do t’i humbë 200 milionë euro.
Ai dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, u bënë thirrje partive politike të shkojnë në seancë për t’i kaluar marrëveshjet.
Për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten 80 vota për.
Mbetet të shihet nëse këto projektligje do të votohen më vonë gjatë ditës.








