Kryeministri Edi Rama ka folur për progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe për sfidat aktuale të vendit në një intervistë për Euronews. Ai theksoi se Shqipëria ka kaluar transformime të rëndësishme dhe tashmë shihet si pjesë e mozaikut europian, duke u përkushtuar ndaj vlerave të BE-së.
“Dikur njerëzit mendonin se Shqipëria ishte kjo gropë m*ti në mes të Evropës, por tani e shohin si pjesë të mozaikut evropian. A kemi probleme me krimin e organizuar? Po, por kush nuk ka? Edhe Brukseli ka krim,” deklaroi Rama.
Kryeministri gjithashtu u ndal te marrëdhëniet me Italinë, duke përmendur marrëveshjen për qendrat e migracionit në Shqipëri si një akt solidariteti dhe jo si cenim i sovranitetit: “Italia na kërkoi. Dhe kur Italia kërkon, ne gjithmonë themi po. Italianët janë shqiptarë të veshur me Versace.”
Ai përsëriti objektivin e vendit për anëtarësim në BE deri në vitin 2030, duke nënvizuar përkushtimin për sundimin e ligjit dhe zhvillimin e mëtejshëm ekonomik e politik të Shqipërisë.
Në qendër të fjalës së tij ishte edhe mesazhi për qytetarët dhe Europën se Shqipëria ka përparuar ndjeshëm dhe se sfidat e krimit dhe korrupsionit janë pjesë e realitetit, por jo pengesë për integrimin europian.








