Situata e reshjeve në qarkun e Korçës po kthehet drejt normalizimit pas ndërhyrjeve nga strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave. Disa akse rrugore ishin të vështira për qarkullim për shkak të daljes së ujit dhe dëmtimeve të urave, ndërsa prurjet e larta në lumët Dunavec e Devoll po monitorohen vazhdimisht.
Në disa fshatra banorët mbeten pa energji elektrike, ndërsa ekipet e OSHEE-së kanë intervenuar për riparimin e defekteve. Aktualisht 148 abonentë janë pa energji në disa zona të Bashkive Korçë, Maliq, Mollas dhe Vithkuq.
Strukturat vendore kanë ndërhyrë për të normalizuar situatën në Voskopojë, Lubonjë, Gështenjas, Çetë, Mesiçkë, Mollas dhe Shelegur, duke hapur kanale shkarkuese, pastruar urat dhe siguruar rrugë alternative. Drejtoria Rajonale Qendër-Lindje (ARRSH) raporton se akset rrugore kryesore janë të kalueshme, ndërsa punimet për menaxhimin e ujërave dhe rikonstruksionin e urave vijojnë.
Autoritetet bëjnë me dije se deri tani nuk raportohen situata që paraqesin rrezik për qytetarët apo banesat, ndërsa monitorimi i zonave problematike vijon.








