-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Edhe një rrëfim i përbashkët i dy shteteve

Kryesoret

Për një çerekshekull në Serbi qe normalizuar shpjegimi se në BE mund të hyhet me Rusinë e në Shqipëri se kjo mund të bëhet me paratë e drogës. Sanksionet amerikane tërheqin vërejtjen se ky shpjegim nuk është normal më.

1.

Shqipëria dhe Serbia mund të gjenden sërish në një rrëfim të përbashkët. Para disa vjetësh ishin bërë pjesë prijëse e rrëfimit të “Ballkanit të Hapur”, një iniciativë që mori shumë energji dhe prodhoi tepër pak rezultate, e tani këto dy shtete gjenden në një kontekst në të cilin dy vendime amerikane mund të përcaktojnë bukur shumë ardhmërinë e afërt të tyre. Dhe, për ta bërë gjendjen edhe më të ndërlikuar, këto nuk janë vendime kundër Shqipërisë dhe Serbisë – që të dyja shtetet kanë marrëdhënie të mira me SHBA-në, madje në që të dyja pritet të bëhen investime të rëndësishme – një resort në Sazan, një hotel luksoz në ish-Shtatmadhorinë ushtarake në Beograd- të njërit prej investitorëve me peshë specifike, Jared Kushner, i cili gëzon besimin e presidentit Trump në operacione të ndërlikuara çfarë ishte negociimi i armëpushimit në Gazë.

Vendimet janë të natyrës “sekondare”, dytësore dhe janë shumë të ndryshme prej njëri-tjetrit.
Njëri vendim është ai i sanksionimit të Departamentit të Thesarit kundër pjesëtarëve të familjes Hysa nga Belshi i Elbasanit, me shtetësi meksikane, e të cilët cilësohen si shpëlarës të parave të njërit prej klaneve më të njohura të drogës në Meksikë e gjetiu, të Klanit Sinaloa.
Tjetri vendim është ai i sanksioneve amerikane kundër naftës ruse, ndaj të gjithë atyre që e blejnë a shesin këtë e ndaj të cilëve mund të shtrihen ndëshkimet ekonomike e ligjore amerikane.

2.

Nëse në Shqipëri ekziston ndonjë dyshim se ku çojnë këto sanksione, do të ishte mirë që të mësohet prej Serbisë.

SHBA-ja ka paralajmëruar prej kohësh Serbinë – që nga administrata e parë Trump – se ajo duhet të diversifikojë resurset energjetike, se nuk duhet të mbështetet tek Rusia e të krijojë varësi prej saj. Kjo varësi është saktësisht çka i ndodhi Serbisë dhe në ndërlidhje të energjisë e gjeopolitikës Serbia e futi veten në një kurth të trefishtë: ia shiti kompaninë e vet të naftës NIS Rusisë , u drejtua kah importi i gazit dhe naftës nga Rusia si burim parësor energjetik dhe tërë këtë varësi e mbështolli me shfrytëzimin e vetos ruse ndaj Planit Ahtisaari në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë , presidenti Vuçiq ka shpërfillur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe ka vazhduar të importojë gaz e naftë prej Rusisë duke mbajtur në të njëjtën kohë me sukses NIS (Industrinë e Naftës të Serbisë) në pronësi mazhoritare ruse. Kjo gjendje do të vazhdonte pa problem po të mos ishte ndërhyrja e sanksioneve amerikane që dënon të gjithë ata që bëjnë tregti me energjinë ruse. Këto sanksione, të drejtuara fillimisht kundër Kinës e Indisë –vende të cilat shfrytëzuan embargon ndaj Rusisë për ta blerë (e mbase shitur) energjinë e lirë ruse, arritën edhe në adresën e Serbisë, e cila duhet të largojë qartazi pronësinë ruse në industrinë e vet energjetike.

3.

Shqipëria nuk është e sanksionuar me familjen Hysa, siç nuk ishte e sanksionuar Serbia me ndëshkimin “sekondar”. Por, për dallim prej Serbisë, së cilës me vite të tëra i është tërhequr vërejtja për monopolin energjetik rus, Shqipërisë nuk i është tërhequr vërejtja për këtë apo ndonjë familje tjetër, qoftë me rezidencë në Meksikë, Ekuador a gjetiu, për monopol në ndonjë aktivitet legal apo jolegal. Dhe, për më tepër, aktivitetet e sanksionuara të kësaj familjeje janë kryesisht në kontinentin amerikan – madje, asnjë në Shqipëri.

E, megjithatë, Shqipëria do të duhej të ishte e brengosur nga sanksionimi i kësaj familjeje nga administrata amerikane. Fillimisht, ngase figura e saj kryesore kishte paralajmëruar publikisht hyrjen në Shqipëri nëpërmjet kazinove (tash të sanksionuara në Kanada, Meksikë e gjetiu) dhe këtë e bëri pas takimit me kryeministrin e vendit. Dhe së dyti, ngase në Shqipëri tashmë është vendosur kultura e amnistimit të prejardhjes së parasë që hyn në vend, me çfarëdo kanali që të hyjë.

Paraja informale që ka hyrë dhe po qarkullon në Shqipëri ka pasur efekt dramatik transformativ. Ka nxitur valë të paprecedent ndërtimi në gjerësi e lartësi të vendit, ka nxitur shumëfishimin e investimit në turizëm, ka krijuar çekuilibrim në fusha të tjera të ekonomisë së çmimeve e kursit të lekut dhe ka pasur ndikimin e vet në krijimin e një klime politike që, duke qenë gjithnjë e më larg demokracisë e transparencës, është më e favorshme për të mos shtruar pyetje për prejardhje parash, sundim të ligjit dhe rregullave demokratike.

Kam përshtypjen se pushteti në Shqipëri është në një situatë analoge ku ishte pushteti i Serbisë – i thuhej se do të ishte mirë që të mos varej prej Rusisë. Analogjia mbase nuk është aq e hapur – Shqipërisë po i thuhet mbase që të mos krijojë varësi prej parasë së kontrabandës së drogës, potencialisht.

4.

Dallimet mes Shqipërisë e Serbisë janë shumë të mëdha. Shqipëria nuk ka qenë ndonjëherë më afër anëtarësimit në BE dhe anëtarësimi – në një kombinim shtytjesh gjeopolitike dhe nevoje të shteteve kandidate – nuk ka qenë ndonjëherë më i prekshëm për shtetet kandidate si Shqipëria e Mali i Zi. Serbia, nga ana tjetër, ka bërë çdo veprim të mundshëm që ta kthente kahun e integrimit prapa, madje duke u kthyer në një gjendje në të cilën vështirë që do të mund të kalonte sot në një proces që çon deri te Marrëveshja e stabilizim-asociimit.

Në të folurit e BE-së, Serbia ka mundur për një çerekshekulli të betohet në rrugën evropiane duke e mbajtur për krahu apo duke u mbajtur për krahu me Rusinë. Shqipëria ka mundur të betohej në rrugëtimin evropian duke u shndërruar njëkohësisht në njërën prej pikave kryesore në hartën botërore të karteleve të trafikut të drogës, gjegjësisht të kaheve financiare të saj.

Këto nuanca evropiane janë të huaja për administratën sanksionuese amerikane. Porosia për pushtetet në Serbi dhe Shqipëri – për Serbinë imediate, Shqipërinë pasuese – është se duhet të vendosin se nuk ka më rrugëtim në  të cilin BE-ja dhe Rusia janë në të njëjtin udhëtim; apo BE-ja dhe paketat e drogës e paratë nga ajo.

Për një çerekshekull në Serbi qe normalizuar shpjegimi se në BE mund të hyhet me Rusinë për krahu e në Shqipëri me paratë e drogës në dorë. Sanksionet amerikane tërheqin vërejtjen se ky shpjegim nuk është normal më./KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit