Kreu i SPAK, Altin Dumani ka zhvilluar një vizitë dyditore në Bruksel. Gjatë vizitës Dumani u takua me zyrtarë të lartë të BE-së. Zyra e BE-së në Shqipëri ka reaguar lidhur me këtë vizitë teksa theksoi se vizita dëshmon për arritjet e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ambasadori Silvio Gonzato u shpreh se BE-ja është mbështetëse e SPAK dhe se është e rëndësishme forcimi i sundimit të ligjit.
“BE-ja ka qenë dhe do të mbetet një mbështetëse e fortë e SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të lartë dhe mashtrimit, si dhe në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.
Ruajtja e rezultateve solide të SPAK-ut edhe nën drejtimin e tij të ri në vitin 2026 e më tej do të jetë kyçe për vazhdimin e progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Kjo është e rëndësishme për sigurinë e Shqipërisë dhe të BE-së dhe për forcimin e sundimit të ligjit. SPAK-u nuk mund ta bëjë këtë i vetëm. Edhe institucionet e tjera shqiptare duhet të bëjnë pjesën e tyre”, tha ai.








