Kuvendi miratoi në orët e para të mëngjesit projektbuxhetin 2026 me vlerë 8.8 miliardë euro, pas një seance maratonë që zgjati rreth 16 orë. Buxheti u mbështet vetëm nga votat e shumicës, me 83 deputetë pro, ndërsa opozita votoi kundër.
Gjatë votimit të paketës fiskale u shënuan edhe dy qëndrime të veçuara brenda socialistëve: Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj nuk morën pjesë ose nuk votuan në tre prej projektligjeve.
Projektbuxheti i vitit 2026 parashikon fonde për shëndetësinë, arsimin, mbrojtjen sociale, bujqësinë, infrastrukturën dhe detyrimet e sigurisë, përfshirë angazhimet ndaj NATO-s.
Ndër nismat fiskale të miratuara përfshihen:
-
falja e detyrimeve tatimore të mbetura deri në fund të vitit 2014,
-
një marrëveshje e re “paqes fiskale” për bizneset e mëdha,
-
mundësia për rivlerësim prone me tarifë të reduktuar 5%,
-
rikthimi i kompensimit 10% për fermerët,
-
ulja e kufirit të pagesave cash,
-
lehtësira për sponsorizimet në sport dhe kërkim-shkencë,
-
përjashtime nga taksa e infrastrukturës për investimet publike në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale.
Këto ndryshime synojnë të lehtësojnë barrën fiskale dhe të nxisin deklarimin e rregullt të të ardhurave, ndërsa buxheti fokusohet në rritjen e shërbimeve dhe mbështetjes sociale.








