Qarku i Lezhës ka përjetuar sërish një natë të vështirë për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Në zonën e Tales, rritja e nivelit të ujit të lagunës ka dëmtuar argjinaturën, duke rrezikuar zonat e banuara. Mjetet e tonazhit të rëndë kanë punuar gjatë gjithë natës për të forcuar mbrojtjen dhe për të parandaluar përkeqësimin e situatës.
Probleme janë regjistruar edhe në Mirditë, ku aksi rrugor Rrëshen–Bukmirë ka pësuar shembje në disa pika. Punëtorët kanë punuar për të mbajtur rrugën të kalueshme, pasi kjo arterie lidh fshatrat e Njësisë Administrative Kaçinar me qendrën urbane dhe është jetike për qindra banorë.
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, dhe Prefekti i Qarkut Lezhë, Taulant Malshi, theksuan se problemi i këtij segmenti rrugor është kronik dhe është përkeqësuar nga reshjet intensive.









