Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagon pas publikimit të përgjimeve që lidhen me Belinda Ballukun, duke e cilësuar situatën si një sistem të korruptuar që favorizon koncesionet dhe asetet publike për një rreth të ngushtë biznesesh dhe zyrtarësh.
Postimi i Jorida Tabakut
Qeveria e të pandehurve!
Ditë pas dite po zbulohen fakte të një sistemi të korruptuar, të ngritur me kujdes për të ndarë tendera, favore, koncesione dhe asete publike brenda një rrethi të ngushtë. Një sistem që ka përqendruar pasurinë në pak duar dhe ka trajtuar fondet publike si pronë private, duke vepruar sipas parimit: “sepse kështu dua unë”.
Ky ishte një realitet i njohur për këdo që është përballur me shtetin: kriteret e tenderave ekzistonin vetëm në letër; ligjet, megjithëse të mira, nuk zbatoheshin; ndërsa vendimet e qeverisë hartoheshin në zyrat e bizneseve të lidhura me pushtetin.
Ky sistem, ditë pas dite, ka asgjësuar konkurrencën, ka nxjerrë nga tregu bizneset e ndershme dhe ka detyruar të rinjtë të largohen jashtë vendit. Në një vend ku gjithçka vendoset me mesazhe, puna e ndershme nuk vlerësohet dhe buxheti i shtetit është grabitur në mënyrë të vazhdueshme përmes ligjeve të posaçme që favorizojnë vetëm klientelën pranë qeverisë.
Sot jemi përballë një realiteti të hidhur: një qeveri ku pothuajse çdo zyrtar dhe ish-zyrtar është nën hetim; një administratë ku fondet e shtetit nuk shpenzohen më, sepse çdo firmë është objekt hetimi; një vend i ndarë me copa dhe me interesat publike të paralizuara ku interesi i shqiptarëve është i fundit.
Mjafton të shohim buxhetin ku çikërimat e vitit shkojnë për pensionet që janë më të uëltat në rajon, ku rroga e shqiptarëve dhe të ardhurat e tyre shpenzojnë 40% për ushqimet bazike ndërsa torta e madhe e 7 mld euro buxhet shkon për konçesionet që vendosen me mesazhe.
Kjo është pandershmëria e një sistemi që e ka shteruar, ligështuar dhe përçudnuar vendin. Një sistem kaq i pandershëm sa buxhetet fryhen, koncesionet rriten por qytetari mbetet në margjinat e tij.
Ky moçal duhet tharë jo për interesin e një force politike por për interesin e shqiptarëve. Duhet çmontuar njëherë e mirë sistemi që prodhoi qeverinë e të pandehurve.
Qeveria e të pandehurve nuk mund të vazhdojë të qëndrojë. Është koha t’i hapet rruga një ndryshimi të vërtetë një Shqipërie ndryshe, një Shqipërie europiane.









