Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka lëshuar akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama në lidhje me çështjen e pezullimit të Belinda Ballukut.
Në pjesën e parë të intervistës, Meta deklaron se mënyra si është menaxhuar rasti Balluku tregon qartë, sipas tij, se pas çdo afere qëndron vetë Rama.
“Fakti që zonja Balluku është marrë e pandehur zyrtarisht nga vetë SPAK-u i Ramës për vepra të dyshuara në ministrinë e saj, do kërkonte një zgjidhje politike ose nga Znj. Balluku përmes dorëheqjes deri sa të përfundonte gjykimi, ose përmes lirimit nga detyra të saj nga vetë Kryeministri, krijuesi i SPAK-ut me 69 vota.
Fakti që Znj. Balluku nuk ka dhënë dorëheqjen, supozoj se lidhet me bindjen e saj se regjizori i vërtetë i tenderave të paracaktuar, që nga Tuneli i Llogarasë pa ura e plot të tjerë, është vetë Edi Rama.
Jo më kot ish-Zv/Kryeministri Ahmetaj u shpreh për aferën e Tunelit të Llogarasë, se ky është rasti kur Rama ha kumbulla e dardha pas shpinës së Znj. Balluku.
Dhe nuk duhet të harrojmë se Z. Ahmetaj ka qenë denoncuesi i parë i aferës së Tunelit të Llogarasë edhe si dëshmitar okular i takimit në Turqi, bashkë me Ramën dhe Znj. Balluku me kompaninë që do shpallej fituese” tha ai./ Syri.net









