“Fermerët shqiptarë nuk na i shesin dot produktet sepse dhe ne nuk i blejmë dot sepse ne nuk na njihet TVSH në sistem, dhe detyrohemi dhe blejmë misër dhe elb serb, produkte që vijnë nga rajoni dhe nuk ua bëjmë dot komshinjve tanë që luten që t’ua blejmë me një çmim mizerabël”, tha ai. Kështu u shpreh sot në komisionin e Ekonomisë, Gentjan Lalaj, nga shoqata e blegtorëve, prodhues të qumështit. Deputeti Erion Braçe e mbështeti.
“Propozimet e zotërisë nuk janë për herë të parë, ka vite që i bën, i kanë dëgjuar dhe ministrat. Problemi është që koha ikën, dhe koha për ta është një lopë që kalon moshën, që nuk prodhon më shumë, një fermë që digjet, përmbytet e kështu me radhë. Të gjitha propozimet që bëri dhe i ka bërë kohë pas kohe, nuk kanë kosto për buxhetin e shtetit, janë rregullime në atë që kemi sot pa shtuar asnjë lek kosto.
Kjo historia që ministria thotë që do e bëjmë kështu siç themi ne, ka sjellë këtë gjendje. Ka dy muaj në detyrë ministri i Bujqësisë, mund të reflektonte, por tha që ‘jam i kënaqur’. Ministri i financave i ka dëgjuar këto problematika. Përfaqësuesi i dhomës së tregtisë, siç koordinojnë çmimin koordinojnë dhe sjelljen, dhe e kuptoj pse nuk kanë ardhur sot këtu”, tha Braçe.









