Në Kërçovë më 25.11.2025 në Qendrën Kulturore, Koço Racin, u promovua libri “Aristidh Kola dhe shtypi shqiptar” i autorit Arben Llalla, ku u shfaq edhe dokumentari me titull “Rrënjët e mia janë tek Arbëria” të autorit vlonjat Lirio Nushi
Moderator: Sadik Emroja
Për librin folën: Prof. Dr. Nebi Dervishi, prof. Qamil Aliu dhe vetë autori historian Arben Llalla

Nga Qamil ALIU
Gjatë leximit të librit Aristidh Kola dhe shtypi shqiptar thosha me vete se askush më denjësisht se prof. Arben Llalla nuk mund të bënte vepër më të mirë për rilindasin e shekullit XX, për njeriun e paepur e të amshuar arvanitas Aristidh Kolën.
Dhe këtë bindje e ndaj për më shumë arsye. E para, në kuptimin e vlerës historike e shkencore, prof. Arbeni materialet i ka të dorës së parë e mbi këtë edhe është takuar e ka ndenjur me Aristidhin. E dyta, autori edhe prej më herët kishte njohuri për punën e shkëlqyer të këtij patrioti të madh dhe e kishte të njohur në brendi edhe veprën mbi Arvanitët.
E treta, vetë takimi kokë më kokë me Aristidhin prof. Arbenit i zgjoi një shkëndi përndritjeje të dashurisë për këtë njeri tepër modest, por të thellë në gjurmimet shkencore, në atdhetarizëm, në të jetuarit me ndiesinë e altruizmit në mbrojtjen e së vërtetës që kishte të bëjë me arvanitët në shtetin grek, me fillin e rrënjëve të degëzuara në substratet e lashtësive, me atë se edhe vetë raca greke është një përzierje jo e vogël e gjenomit arvanit e kështu me radhë.
Për Arben Llallën Aristidhi u bë një rrezatues shpirtëror që kthjellët i nxirrte në shesh të fshehtat e të vërtetat e kristalta qëllimshëm të mbuluara a të keqinterpretuara nga pseudohistorianët, albanofobët, qofshin ata grek a serb. E katra, vetë Aristidh Kola së tepërmi e deshte, në atë kohë studentin e ri lab Arbenin, e vërente lehtësisht pasionin që i vlonte djaloshit të etur për dije e atdhetarizëm, si një baba për djalë ia kishte ënda t’i rrëfehet për gjithçka dhe së fundi e donte ta ketë pranë edhe kur po jepte shpirt.
Prandaj zemra e trazuar e Arbenit për Aristidhin asnjëherë nuk do të qetësohet, ashtu siç nuk u qetësua as në faqet e këtij libri që po e kemi në dorë. Pse? Sepse kur e do një atdhetar që fli e bën veten për ta mbrojtur të vërtetën e kombit në fushën e historisë, në atë të traditës, të etnogjenezës, kur e sheh se i ngjan një deti të thellë të diturisë, atëherë edhe sikur të mos jeshë poet a fare mos keshë prirje për një gjë të tillë, vetë frymëzimi që buron nga vullkani i respektit e i dashurisë për këtë shkencëtar arvanitas, të bën edhe vjershëtor, edhe romansier, edhe dramaturg, sepse nuk përmbahesh dot nga një karakter kaq i kompletuar virtytesh që i kishte Aristidh Kola.
Në krijimtari kjo është ajo energji e brendshme që i duhet kohë të dali në sipërfaqe, po ama kur del, atëherë bëhesh pasqyrë e një historiani të mirë, e një dijetari të mirë, e një oratori të rrjedhshëm, e një pedagogu të aftë e racional, ose, thjeshtë, bëhesh një figurë e përsosur.
Edhe vetë për sa zhytesha në këtë monografi historike, mendoja çfarë përjetimi të dhimbjes dhe çfarë tronditjeje i ka dhënë autorit tetori i vitit 2000 kur Aristidhi ndërron jetë dhe sa e paimagjinueshme ishte humbja e këtij kolosi për arvanitët, për shkencën e historiografisë, për gjithë shqiptarinë dhe për dashamirët e shumtë që i kishte rreth vetes në Greqi, në Kosovë e kudo.
Librin Aristidh Kola dhe shtypi shqiptar, prof. Arben Llalla e ka strukturuar në gjashtë kapituj përplot të dhëna interesante e të sakta. Por ajo që mua më lë përshtypje, nuk është vetëm materiali i mbledhur faktik, apo evokimi i bisedave telefonike e i takimit miqësor me Aristidhin, por është stili, gjuha dhe pjesa emocionale që e mbështjell tërë librin e që e bën sa shkencor, aq edhe letrar.
Mu për këtë është shumë vështirë gjatë analizës të marrish një pasus e të lëshë një tjetër. Ose është po aq vështirë ta anashkalosh bisedën eparë mes autorit dhe Aristidhit. Sidoqoftë, të përmbledhish tërë librin në pak fjalë dhe kronologjikisht do të ishte kjo:
Fillimisht prof. Arben Llalla shpalos botën e ndiesisë nga momenti i parë i komunikimit me Aristidh Kolën dhe nuk mund të mos ishte emocional, sepse Arbeni i kishte lexuar e shoshitur pothuajse të gjitha shkrimet e Aristidhit mbi arvanitët, mbi Kosovën dhe mbi tema tepër të ndieshme të lidhjes me pellazgët, me të vërtetën e mitologjisë e të perëndive e rend të tjera.
Ajo që e lartëson edhe në një piedestal tjetër Aristidh Kolën është në kreun e dytë ku, në mos i pari është nga të parët që ngre një varg pyetjesh substanciale mbi të tashmen dhe të ardhmen e kombit. Pra, në Kërkim të bashkimit kombëtar ai shtron pyetjen se kush duhet ta bëjë këtë, kush do ta trasojë rrugën, kujt i bie kjo barrë, ose ç’bëjnë intelektualët e sotëm shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë?
Kujt i shërbejnë këta? Ç’politikë udhëheqin krerët tanë partiak e jopartiak? Ose edhe përse nuk shkruhet historia e vërtetë shqiptare?! Ne jemi dëshmitarë se edhe sot këto pyetje, jo vetëm që nuk kanë gjetur përgjigje, po as nuk janë vënë në tryezë e as është ndërmarrë diçka rreth kësaj problematike.
Se sa i ndjeshëm ishte Aristidhi për arbërorët, këtë e shpreh edhe në vargjet e poezisë Rrënja jonë arbërore ku thotë:
Rrënjë e fortë arvanite
Rrënjë e burrave të motit
Rrënjë e Herakliut e Akillefit
Rrënjë e Aleksandroit e Kastriotit
Rrënjë (moj!) e fortë arvanite
Nga merr shpirt me u rrite?
Intervistat e Aristidh Kolës për shtypin shqiptar, shkrimet, fjalimet e vështrimet mbi këtë pas vdekjes së tij, përmblidhen në kreun e tretë e të katërt. Ndërsa vargjet kushtuar Aristidh Kolës si dhe letërkëmbimet i gjejmë në kreun e pestë e të gjashtë. Në fund libri përmbyllet me një album të bukur fotografishë.
Të nderuar të pranishëm. Njerëzit e mëdhej e të ditur gjithmonë kanë qenë modest e për shkak të një natyre të këtillë edhe të papërfillshëm nga intelektualët e tjerë. Vetë politika shqiptare është skajshmërisht e degjeneruar, e korruptuar, inferiore, jokombëtare, pa vizion të qartë e pa shumëçka tjetër.
Brenda këtij sistemi të kalbur devalvon edhe vetë shoqëria, ndërsa populli varfërohet, vendi braktiset, në ndërkohë erërat përreth nesh ende po fryjnë bashkë me apetitet fashisoide serbe, po edhe greke. Gjersa nuk ulen në tryezën e bashkimit intelektualët e mirëfilltë dhe dashamirët e flaktë të atdheut e të shqiptarisë, mjerimi ynë do të vazhdojë.
Zoti që është suprem dhe vëzhgon, tërhjek vërejtjen se një popull që humb nderin, etikën, gjuhën, vlerat e veta të shenjta, Ai, Fuqiploti, do ta zëvendësojë me një popull tjetër. Mbijetuam mijëra e mijëra vjet dhe është koha të ngritemi e jo të zhdukemi. Aristidh Kola ishte dhe mbetet modeli i ripërtrirjes sonë. Aristidh Kola mbetet shtytësi i inisiativave të reja që i duhen shoqërisë sonë në këtë kohë krize të identitetit.
Aristidhi fliste me gjuhën e argumentit të pamposhtur, ndërsa në shembullin e tij ne duhet t’i thirremi ndërgjegjes dhe logjikës së shëndoshë. Fatmirësisht një zë i fuqishëm i këtij arvanitasi, zë i vazhdimësisë së jehonës së tij është edhe Arben Llalla. E përgëzoj për këtë vepër dhe i them: Të paçim përjetë!
Kërçovë, 25 nëntor 2025
prof.: Qamil Aliu









