Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku se po prish provat që e lidhin me hetimet e SPAK dhe po përfitojë në mënyrë të dyshimtë nga pozita e saj.
Ai tha se veprimet e Ballukut, sipas tij, përbëjnë një manipulim të drejtësisë dhe një përpjekje për të fshehur përgjegjësitë e saj dhe të bashkëpunëtorëve.
“Dua të garantoj çdo shqiptar dhe unë do të dal para jush që tua faktoj, se GJKKO dhe SPAK në vlerësimet e tyre nuk kanë shkelur asnjë ligj me kërkesën që kanë bërë për pezullimin nga detyra. Ato kanë shkelur me dy këmbë ligjin me moskualifikimin e veprës; grup i strukturuar kriminal dhe lëshimin e urdhrit të arrestit për Lubi Ballukun, që po vazhdon të prishë provat bashkë me aparatin e ministrisë, ditë e natë. Kjo është e vërteta.
Ata që marrin në mbrojtje dhe pretendojnë se po ndërhyhet në pushtet e njëri-tjetrin, ata janë të paritur. Lubia bëri një gjë, e keni dëgjuar atë fjalën; paritje! Pra larje në flori, por kjo lahej në para. E futi një fjalë në gjuhën shqipe, nuk ia mohojmë dot. SPAK nuk mund të kishte asnjë devijim nga kualifikim i tyre si grup kriminal. Balluku, Rama, Berberi, kanë bashkëpunuar,” tha ai.









