Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas përmbytjeve të ditëve të fundit dhe dëmtimeve të shumta në infrastrukturën rrugore, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe keqmenaxhim të investimeve publike.
Sipas tij, shembjet e rrugëve të sapondërtuara tregojnë “dështimin e plotë të institucioneve përgjegjëse për kontrollin dhe mirëmbajtjen e veprave publike”.
“Moti dhe korrupsioni në sinergji, në bashkëveprim, kanë pasur këtë javë efekte shkatërrimtare mbi pronat e qindra dhe mijëra qytetarëve shqiptarë në të katër anët e vendit. Dëmet janë kolosale jo vetëm në infrastrukturën, të cilat mediat i kanë paraqitur gjerësisht, por janë mijëra kokë bagëti, janë qindra hektarë sera, janë infrastrukturë e vogël e fshatrave, të rrënuara si asnjëherë në mote më parë. Këto mote, këto shira të mëdha, dëshmuan infrastrukturën fiktive në këtë vend, ose ineksistente, kundër përmbytjeve. Investimet janë në të katër anët e vendit në sistemin e kanalizimeve, por kanalet janë të mbyllura, janë të mbushura, dhe ato nuk ka kush t’i hapë sepse paratë për mirëmbajtjen e tyre vetëm vidhen.
U bënë virale në Shqipëri dhe në mbarë botën pamjet e rrugës së sapoinauguruar Qukës–Qafë Pllocë, pamjet e rrugës Kardhiq–Delvinë, pamjet e Rrugës së Arbrit, pamjet e rrugës Korçë–Ersekë, të gjitha të inauguruara vitin e kaluar ose gjatë këtij viti. Pra, pas një periudhe shumë të shkurtër inaugurimi, u shembën njëra pas tjetrës,” tha Berisha.









